Qeveria ka diskutuar në mbledhjen e sotme reformën e re për strehimin, të lancuar një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Kjo e fundit dha detaje për median lidhur me nismat që do të ndërmerren, ku politikat e strehimit do të ndryshojnë qasje, duke u fokusuar tek shtresa e mesme dhe të gjithë ata që kanë nevojë për një banesë pranë vendit të punës apo shërbimeve.
“Do të jenë 7,000 apartamente të cilat do të vihen në dispozicion në bazë të paketës së re ligjore që ne jemi duke përmbyllur, ku konkretisht do të jenë 4,000 kredi të buta, ku 2,000 do të jenë kredi me zero interes për apartamente të cilat janë deri në 60,000 euro vlerë, ku do t’u jepen profesionistëve të rinj dhe çifteve të reja. Ndërkohë që, për apartamente të cilat janë më të mëdha, duke qenë se vlera 60,000 euro limiton sipërfaqen e apartamenteve, ne duam të bëjmë një politikë të re për të gjitha familjet e reja me një apo më shumë fëmijë, në të cilën do të vihen në dispozicion 3,000 apartamente me një kredi të butë, me një normë interesi 3% fikse.
Të gjitha normat e interesit, edhe për kredinë me zero interes, edhe për kredinë me 3% interes, që sigurisht janë shumë favorizuese, por diferencat e normave të interesit do të mbulohen nga një fond i cili do të krijohet, do të quhet Fondi Kombëtar i Strehimit, i cili do të përmbledhë 3%-in që mblidhet nga bashkitë, i cili paguhet nga zhvilluesit dhe ndërtuesit; do të përmbledhë buxhetin e shtetit për sa i përket strehimit, por do të përmbledhë gjithashtu edhe mekanizma të tjerë të kredive të cilat vihen në dispozicion nga institucione financiare ndërkombëtare, por më konkretisht BEI-ja dhe Banka Europiane për Investime.
Banka Europiane për Investime ka një program specifik për strehimin, i cili është shumë favorizues dhe do të futet brenda Fondit Kombëtar të Strehimit”, ka thënë Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu, se mbështetje do t’iu jepen çifteve të reja, profesionistëve dhe të rinjve.
“Në vijim, ne planifikojmë që do të vëmë në dispozicion gjithashtu subvencionim qiraje për 3,000 apartamente, të cilat do t’u dedikohen gjithashtu jo vetëm shtresave në nevojë, siç ka qenë më përpara, por do t’u dedikohen gjithashtu familjeve të reja dhe profesionistëve, të cilët sapo kanë mbaruar shkollën apo çifteve të reja, të cilët sapo kanë mbaruar shkollën, të cilët vendosin të jetojnë në një qytet apo vendosin që, pasi kanë mbaruar shkollën në kryeqytet, të kthehen në vendbanimin e tyre.
Dhe ne do t’i mbështesim këto familje të reja me qëllim që t’u garantojmë një fillim të jetesës më të sigurt, pasi ne mendojmë që në Shqipëri, në fakt, strehimi është një çështje kryesore për qytetarët dhe shifrat e tregojnë qartë këtë. Kemi më shumë se 80% të qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në banesa në pronësinë e tyre dhe kjo do të thotë që një nga aspektet kryesore të sigurisë së jetesës lidhet me strehimin.
Kjo është dhe arsyeja pse ne kemi vendosur të bëjmë këtë reformë të madhe, e cila nuk do të jetë vetëm një reformë në produktet dhe instrumentet që ne do të përdorim, por do të jetë një reformë tërësore edhe nga ana e mekanizmit të qeverisjes së këtij instrumenti, ku padiskutim, përveç produkteve që unë sapo përmenda, do të fillojmë ndërtimin e disa blloqeve ndërtesash, të cilat do të kenë një përdorim”, tha ministrja.
Por kjo nuk do të thotë se shtresat vulnerabël do të jenë jashtë vëmendjes së Programit të ri Kombëtar të Strehimit. Edhe për këtë kategori, ministrja Ibrahimaj ka dhënë detajet sesi do të ndihmohen.
“Ne e quajmë 30-40-30, ku 30% e ndërtesave do t’u dedikohen banesave sociale dhe shtresave në nevojë apo të dizavantazhuara. 40% e banesave do t’i dedikohen strehimit të përballueshëm, pra strehimit për atë kategori familjesh apo individësh që nuk konsiderohen të varfër, konsiderohen shtresë e mesme, por që gjithashtu nuk arrijnë dot të përballojnë vlerën e një banese në vitet e tyre të para të jetesës bashkë, të krijimit të familjes apo të punës.
Dhe 30% do t’i dedikohet shitjes në tregun e lirë. Kjo është një politikë e cila, në fakt, është studiuar nga ana jonë duke marrë në analizë të gjithë vendet e Europës, por edhe të rajonit e më gjerë. Është një politikë e cila ndikon në banesat në përgjithësi dhe në urbanizimin në përgjithësi të qyteteve dhe nuk lejon që të krijohen blloqe pallatesh ku ka vetëm një kategori shtrese, të cilat mund të kthehen në problematike në të ardhmen”, u shpreh ministrja e Ekonomisë dhe Inovaciont.
Sipas të dhënave zyrtare, që prej vitit 2018 e deri më tani, janë ndihmuar për strehimin rreth 31 mijë familje të varfra ose rreth 100 mijë qytetarë.








