Ekspertët e ekonomisë mbështesin nismën e qeverisë për monitorimin e çmimeve të produkteve bazë nëpërmjet platformës Price Watch Albania ose ndryshe Pasqyra e Çmimeve. Ata vlerësojnë se kjo nismë do të rrisë transparencën dhe do të ndikojë në uljen e çmimeve për konsumatorët.
“Sidomos në periudha me goditje në inflacion, ku shporta bazë e konsumit preket më së tepërmi, kjo është një masë që rrit transparencën dhe në mënyrë indirekte edhe disiplinon ose vetë-disiplinon tregjet. E rëndësishme kjo nismë është në kuadër të funksionit të mbrojtjes së të drejtave dhe interesit të konsumatorëve dhe luftimit të abuzimeve, prirjeve për monopole apo marrëveshje oligopoliste, në kurriz të qytetarëve.
Zvogëlimi i hallkave të transmetit të produktit, nga prodhimi në tryezën familjare, do të ndikonte pozitivisht në uljen e çmimeve finale. Gjurmueshmëria e produktit në çdo hallkë është pozitive, jo vetëm për të evidentuar çmimin dhe komponentët e kostos, por edhe për të rritur besueshmërinë qytetare”, shprehet Igli Tola, ekspert për ekononë, pedagog në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

Ndërsa Romina Radonshiqi, Doktore Shkencash në ekonomi argumenton se përveç konsumatorit, Platforma e Çmimeve do të mbrojë edhe prodhuesit shqiptarë, ndërsa do të jetë një instrument për qeverinë në hartimin e politikave mbështetëse.
“Kjo platformë që është e testuar dhe në vende të zhvilluara do të zgjidhë problemin e rritjes së çmimeve në mënyrë abuzive dhe problemeve që ka prodhimi vendas.
Me anë të kësaj platforme, konsumatori shqiptar dhe prodhimi vendas do të kenë mundësi që të përfitojnë dhe të mbrohen. Ndërsa qeveria me anë të gjurmueshmërisë do të ketë mundësi të hartojë politika mbështetëse për prodhimin vendas dhe politika sociale për grupet vulnerabël. Kjo do të rrisë dhe mbrojtjen e konsumatorit sepse konsumatori do të mund të informohet në kohë reale për cmimin e produkteve dhe shërbimeve dhe do të nxisë konkurueshmërinë në treg”, shprehet Radonshiqi.

Duke filluar nga shtatori, qeveria do të bëjë efektive platformën “Price Watch Albania”. Nëpërmjet saj do të monitorohen çmimet e produkteve bazë të konsumit të përditshëm nga prodhimi dhe importi deri në raftet e supermarketeve.
Kjo me qëllim evidentimin e marzheve të fitimit në çdo hallkë dhe shmangien e abuzimeve, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve shqiptarë dhe turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Lajmin e bëri të ditur dy ditë më parë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.








