Pronarët e apartamenteve të dhëna me qira ditore për turistët e huaj po kthehen një ndër burimet kryesore të kërkesës për pajisje hidrosanitare, duke zëvendësuar familjarët dhe emigrantët. Kërkesa për pajisje në rastet e rinovimit të shtëpive apo për ndërtime të reja private vijon të bjerë për të tretin vit radhazi nga familjet. Sipas të dhënave të Doganave, në janar – maj 2026 u rritën importet e pajisjeve hidrosanitare, por ranë për pllakat.
Pronarët e apartamenteve që jepen me qira ditore për turistët e huaj kanë nisur të zënë një peshë të konsiderueshme në kërkesën për pajisje hidrosanitare, duke zëvendësuar gradualisht familjet dhe emigrantët, të cilët më parë investonin në ndërtimin ose rinovimin e banesave.
Ndërsa kërkesa për investime private dhe rinovime nga familjarët vijon të bjerë për të tretin vit radhazi, tregu po mbështetet nga zhvillimi i projekteve të ndërtimit dhe shtimi i investimeve në pronat për qiradhënie ditore.
Apartamentet, vilat dhe shtëpitë private po jepen kryesisht me qira afatshkurtër përmes platformave AirBNB dhe Booking.
Vitet e fundit, rritja e kërkesës për këtë lloj akomodimi ka nxitur zgjerimin e ofertës, duke krijuar efekt zinxhir edhe në tregun e pajisjeve hidrosanitare.
Sipas të dhënave nga AidDNA, një njësi të dhënash që analizon net-qëndrimet e platformave akomoduese online, si Airbnb dhe më pak Booking e Expedia, deri në fund të marsit 2026, në Shqipëri kishte gati 27 mijë njësi të listuara për tu dhënë me qira ditore, nga vetëm 3 mijë që ishin pak vite më parë. nga këto, 10.3 mijë ishin në Vlorë e Sarandë, 5.3 mijë në Tiranë, gati 4 mijë në Durrës dhe 1.4 mijë në Golem.

Operatorët e tregut vlerësojnë se, krahas sektorit të ndërtimit, investimet në apartamentet me qira ditore janë kthyer në një faktor të rëndësishëm të kërkesës.
Ky segment po kompenson pjesërisht rënien e investimeve nga familjet dhe emigrantët, të cilët tradicionalisht e shfrytëzonin kthimin në Shqipëri gjatë muajve të verës për rinovimin e banesave ose për ndërtime të reja.
“Blerjet nga individët për përdorim personal janë më të kufizuara krahasuar me periudhat e mëparshme dhe kanë më pak peshë në totalin e tregut.
Kërkesa nga familjarët dhe emigrantët për ndërtim ose rinovim banesash nuk ka më të njëjtin intensitet si disa vite më parë. Sot, investimet private janë më të orientuara drejt apartamenteve për qira afatshkurtër, si AirBNB, ose projekteve me kthim më të shpejtë financiar, sesa për përdorim familjar tradicional.
Nga ana e emigrantëve, vihet re një rënie e numrit të atyre që investojnë në ndërtim në Shqipëri, kryesisht për shkak të kostove më të larta të ndërtimit dhe ndryshimeve në përparësitë e tyre investuese në vendet ku jetojnë.
Në përgjithësi, emigracioni vazhdon të jetë faktor ndikues në treg, por më shumë si konsumator indirekt sesa si investitor aktiv në ndërtim”, pohon për “Monitor”, Besnik Sinani, administratori i kompanisë “Haki Sinani”.
Kërkesa për pajisje hidrosanitare të destinuara për banesa private është në rënie krahasuar me vitet e mëparshme edhe për kompaninë “Teoren”.
Administratori i “Teoren”, Orest Çelo, pohon për “Monitor” se emigrantët dhe familjet po tregohen më të kujdesshëm në planifikimin e investimeve, duke shtyrë ose duke i ndarë në faza më të vogla projektet e rinovimit.
“Vihet re një tendencë më e fortë për kursim dhe shtyrje të investimeve të rinovimit, sidomos në projektet që nuk janë urgjente. Familjet janë bërë më të kujdesshme në shpenzime, duke i planifikuar më gjatë në kohë investimet për përmirësimin e banesave.
Edhe emigrantët, të cilët tradicionalisht kanë qenë një segment i rëndësishëm për këtë treg, po tregohen më përzgjedhës dhe më të matur në vendimmarrje, duke e shtyrë shpesh periudhën e investimeve ose duke i realizuar ato në faza më të vogla.
Në përgjithësi, kërkesa në këtë segment mbetet e pranishme, por është më e ngadaltë dhe më e orientuar drejt optimizmit të kostove sesa drejt rinovimeve të plota apo investimeve të mëdha”, veçon z. Çelo.

Në janar – maj 2026 rriten importet e hidrosanitareve, bien për pllakat
Në vitin 2025 u importua një sasi prej 5.8 milionë kg pajisje hidrosanitare (në të dhëna përfshihen importet për pajisje, si: lavamanë, lavapjata, vaska, dushe, bide, nevojtore, sifone shkarkues, urinale dhe fiksues të ngjashëm sanitarë, prej qeramike), sipas të dhënave të Doganave. Në raport me vitin paraardhës, sasia e importeve u rrit me 6%.
Zgjerimi i importeve vijoi edhe gjatë 2026. Në muajt janar-maj importet për pajisjet hidrosanitare u rritën me rreth 9% në raport me periudhën janar-maj 2025.
Në vitin 2025 ka pasur rritje të importeve edhe për grupin e pllakave (përfshihen produkte importi, si: pllaka dhe kalldrëme qeramike, pllaka dyshemeje dhe muresh qeramike).
Sipas të dhënave të Doganave, sasia e importeve të grupit për 2025 u rrit me 12% krahasuar me vitin paraardhës.
Në janar-maj 2026, importet e grupit ranë me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Motori kryesor i kërkesës vijon të mbetet ndërtimi
Megjithatë, pavarësisht rritjes së investimeve në qiratë ditore, ndërtimi mbetet ende burimi kryesor i volumit të kërkesës. Zhvillimi i projekteve të ndërtimit në Tiranë dhe zonat bregdetare edhe këtë vit vijuan të mbeten mbështetësit kryesorë të kërkesës për tregun e pajisjeve hidrosanitrae dhe pllakave.
Orest Çelo, administrator i grupit “Teoren”, prej 20 vitesh i specializuar për tregtimin e pajisjeve hidrosanitare, tha se sektori i ndërtimit jo vetëm po ndikon te rritja e kërkesës, por edhe te përmirësimi për produkte sa më cilësore dhe moderne.
“Shtimi i ndërtimeve të reja në Tiranë dhe në zonat bregdetare ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm në rritjen e kërkesës për pajisje hidrosanitare.
Në Tiranë, zhvillimi i vazhdueshëm i projekteve rezidenciale, komplekseve shumëfunksionale dhe rikonstruksioneve ka sjellë kërkesë të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, me fokus gjithnjë e më të madh te cilësia dhe dizajni modern.
Ndërsa në zonat bregdetare, sidomos në Jug të Shqipërisë, rritja e ndërtimeve të lidhura me turizmin ka sjellë kërkesë më sezonale, por me volum të lartë, ku përparësi mbetet kombinimi i estetikës me rezistencën ndaj përdorimit intensiv dhe kushteve klimatike.
Në të dyja rastet, vihet re një tendencë e qartë drejt produkteve më cilësore dhe zgjidhjeve më të qëndrueshme, çka tregon se zhvillimi i sektorit të ndërtimit po ndikon pozitivisht edhe në rritjen e standardeve të pajisjeve hidrosanitare në treg”.
Besnik Sinani, administratori i kompanisë “Haki Sinani”, thotë se zhvillimi i projekteve të ndërtimit mbeten kontribuuesit kryesorë të kërkesës për sektorin e hidrosanitareve.
“Në përgjithësi, kërkesa paraqitet në një nivel të ngjashëm me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me luhatje shumë të lehtë në kufijtë ±2–3%, që në këtë fazë konsiderohet më shumë stabilitet sesa ndryshim real tregu.
Struktura e kërkesës mbetet e ndarë: projektet e ndërtimit kanë peshën kryesore dhe janë relativisht të qëndrueshme, pasi lidhen me cikle investimesh të nisura më herët.
Ndërsa segmenti i konsumatorit final është më i ndjeshëm dhe më i kujdesshëm në vendimmarrje. Në terma të përgjithshëm, tregu po ecën në një fazë konsolidimi, ku ndryshimet e mundshme në rritje apo rënie reflektohen me vonesë për shkak të natyrës së gjatë të ciklit të ndërtimit dhe furnizimit”, u shpreh ai.
Sipas z. Sinani, ndërtimet e reja në Tiranë dhe në zonat bregdetare vazhdojnë të jenë burimi kryesor i kërkesës për pajisje hidrosanitare.
“Ndërtimet e reja mbeten faktori kryesor që gjeneron kërkesën për pajisje hidrosanitare. Në veçanti Tirana dhe zonat bregdetare vazhdojnë të jenë motorët e tregut. Rritja e lejeve të ndërtimit dhe zhvillimi i projekteve rezidenciale dhe turistike kanë mbajtur kërkesën në një nivel të qëndrueshëm.
Megjithatë, vërehet një fokus më i madh tek eficienca e kostos dhe standardizimi i produkteve, gjë që ndikon edhe në strukturën e blerjeve. Krahasuar me periudhat e mëparshme, blerjet nga individët për përdorim personal janë më të kufizuara dhe kanë më pak peshë në totalin e tregut”.
Edhe Alma Grabocka, drejtoreshë e shitjeve për kompaninë “Delta”, pohon se në tërësi, kërkesa këtë vit ka shënuar rritje krahasuar me periudhën paraardhëse. Rritja është ndikuar veçanërisht nga ndërtimet e reja në bregdet. Sipas zonjës Grabocka, kërkesa nga familjarët është në rënie në raport me vjet.
Tensionet gjeopolitike shtojnë kostot e furnizimit
Kriza e rritjes së çmimeve nga fillimi i luftës në Iran ka dhënë efekt zinxhir edhe te fabrikat e prodhimit të pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave jashtë vendit. Për rrjedhojë, operatorët vendas pohojnë se janë përballur me shtrenjtim çmimesh për furnizimet e reja.
Administratori i kompanisë “Haki Sinani” gjithashtu pohoi se zhvillimet gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar në rritjen e kostove të furnizimit.
“Tensionet gjeopolitike, përfshirë edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, kanë ndikuar indirekt në rritjen e kostove të lëndëve të para dhe logjistikës. Kjo është reflektuar kryesisht te materialet me bazë plastike, të cilat janë të lidhura ngushtë me derivatet e naftës, si dhe te kostot e transportit për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve.
Këto rritje kanë filluar të ndikojnë në zinxhirin e furnizimit që prej muajve të parë të vitit, por ne si kompani kemi tentuar t’i amortizojmë në tregun vendas përmes menaxhimit të stokut dhe optimizimit të blerjeve, në mënyrë që ndikimi te klienti final të jetë sa më i kufizuar dhe i shpërndarë në kohë”, tha ai.
Por rritja e çmimeve nuk është reflektuar drejtpërdrejt te konsumatori final. Disa prej operatorëve pohojnë se e kanë amortizuar rritjen e kostove të furnizimeve te marzhet e tyre të fitimit.
“Këto zhvillime janë reflektuar edhe te çmimet e furnizimit që marrim nga partnerët tanë, kryesisht si pasojë e rritjes së kostove të transportit dhe logjistikës ndërkombëtare.
Por ne kemi zgjedhur të mos i transmetojmë këto rritje te konsumatori final. Në vend të kësaj, kemi absorbuar një pjesë të këtyre kostove duke ulur marzhet tona të fitimit, me qëllim që të ruajmë stabilitetin e çmimeve në treg.
Kjo qasje bazohet në filozofinë tonë për të qenë sa më pranë klientit dhe për të mos e ngarkuar atë në periudha të vështira, edhe kur faktorët që ndikojnë kostot janë jashtë kontrollit tonë”, thekson Orest Çelo, nga kompania “Teoren”.
Operatorë të tjerë pohuan se ndryshimet e çmimeve të furnizimeve nga jashtë i kanë reflektuar te çmimet e shitjes për tregun vendas.
Gjatë dy krizave të mëparshme, që sollën ndryshime të kostove prodhuese për shumë fabrika jashtë, atë të pandemisë së Covid-19 dhe të luftës në Ukrainë, operatorët vendas të tregtimit të pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave rritën çmimet deri në 20%.
Në vitin 2022, me fillimin e sulmit në Ukrainë, rritja e çmimeve për konsumatorin u ndikua nga shtrenjtimi i gazit që përbënte lëndën e parë kryesore që përdorej nga furrat e pjekjes së qeramikës në vendet e Bashkimit Europian.
Në atë periudhë pati edhe rritje të tarifave të transportit.
Shtrenjtimi i lartë i tarifave të transportit detyroi operatorët të braktisin tregun kinez dhe të furnizohen më tepër me pajisje me fabrikat në Egjipt dhe Indi.
Rritje kostosh pati edhe nga kompani të tjera që nuk u larguan nga furnizuesit e tyre tradicionalë siç ishte Italia dhe Spanja, pavarësisht se edhe në këto vende, tarifat e transportit dhe të pajisjeve shënuan rritje.
Kostot më të larta u reflektuan me ndryshimet e çmimeve vetëm në disa produkte për tregun vendas për vitet 2021-2022. Për vitin 2022, çmimet e pajisjeve hidrosanitare u rritën nga 10 deri në 20%. Sipas drejtuesve të kompanive, shtrenjtimi i çmimeve ndikoi te rënia e kërkesës me 20%.
Ndërsa në vitin 2023 pati stabilizim të tarifave të lëndëve të para në tregjet e huaja, duke iu afruar niveleve të paraluftës Rusi-Ukrainë.
Si rrjedhojë e kësaj situate, çmimet e shitjes në tregun vendas nuk ndryshuan. Çmimet e shitjes mbetën të pandryshuara edhe për vitin 2024.

Operatorët presin efekte te kërkesa nga gjeopolitika
Për Orest Çelo, nga “Teoren”, kërkesa për blerje pajisjesh hidrosanitare në muajt në vijim pritet të jetë e qëndrueshme, por pritet ngadalësim i rritjes, si pasojë e ngjarjeve gjeopolitike.
“Pritshmëritë tona në muajt në vijim janë për ngadalësim të ritmit të rritjes krahasuar me vitin e kaluar, por jo për rënie të kërkesës.
Tregu pritet të vazhdojë të jetë aktiv, por më i kujdesshëm, si rrjedhojë e pasigurisë ekonomike dhe gjeopolitike, si dhe tendencës së konsumatorëve dhe të bizneseve për të shtyrë ose për të optimizuar investimet jo urgjente.
Në këtë kontekst, ne presim më shumë kujdes në vendimmarrje dhe cikle më të gjata blerjeje, megjithatë bazat e kërkesës mbeten të qëndrueshme, veçanërisht në segmentet ku ne operojmë si kompani.
Pra, nuk flasim për rënie të tregut, por për një fazë më të matur zhvillimi, ku rritja do të jetë më e ngadaltë, por e vazhdueshme”, thotë z. Çelo.
Por nga ana tjetër, kriza e re e çmimeve globale për shkak të luftës në Iran e kombinuar edhe me kërkesën në rënie për segmentin familjar, po shkakton pasiguri dhe hezitim tek operatorët për zgjerim investimesh.
“Pasiguria gjeopolitike, tensionet në Lindjen e Mesme dhe klima e përgjithshme politike kanë ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin tonë, kryesisht duke e bërë më të vështirë parashikimin si të kostove, ashtu edhe të kërkesës në treg.
Në mënyrë konkrete, këto zhvillime janë reflektuar në rritje të çmimeve nga furnitorët e ‘Teoren’, si pasojë e luhatjeve në zinxhirët globalë të furnizimit dhe kostove të energjisë dhe të transportit.
Kjo situatë, e kombinuar edhe me tendencën e tregut retail për kursim dhe shtyrje të konsumit për shkak të pasigurisë, ka krijuar një mjedis më të kujdesshëm dhe më pak të parashikueshëm për investime.
Si rezultat, si planifikimi i kërkesës ashtu edhe vendimmarrja për investime të reja janë bërë më sfiduese, duke kërkuar fleksibilitet më të madh dhe menaxhim më të kujdesshëm të riskut”, thotë zoti Çelo.
Pavarësisht tensioneve gjeopolitike, nga kompania “Haki Sinani” drejtuesit parashikojnë rritje të eksporteve, veçanërisht për vendet e rajonit.
“Eksportet përbëjnë një segment relativisht të ri për ne, por me potencial të qartë rritjeje. Shifrat janë pozitive dhe tregojnë një trend rritës të qëndrueshëm, i mbështetur si nga zgjerimi i rrjetit të klientëve, ashtu edhe nga rritja e konkurrueshmërisë së produkteve tona në tregjet rajonale.
Në këtë fazë, fokusi ynë është konsolidimi i tregjeve ekzistuese dhe zgjerimi gradual në tregje të reja, duke e parë eksportin si një shtyllë strategjike të rritjes afatmesme dhe afatgjatë”, pohon administratori Besnik Sinani.
Rritet totali i të ardhurave të tregut, bien fitimet
Në total për vitin 2024 kompanitë e tregtimit të pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave gjeneruan një total të ardhurash prej rreth 16,7 miliardë lekësh, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Krahasuar me 2023, të ardhurat e kompanive të sektorit u rritën 2%.
Ndërsa totali i fitimeve të sektorit arriti në vlerën e 2,2 miliardë lekëve. Krahasuar me vitin 2023, fitimet e kompanive u rritën me 18%.
Konkretisht për kompaninë “Brunes” të ardhurat në vitin 2024 u rritën me 6% dhe fitimet 38% krahasuar me 2023. Të ardhurat e kompanisë “Delta” në vitin 2024, shënuan rënie 6% krahasuar me 2023. Fitimet e kompanisë në 2024 u rritën 5.6% krahasuar me 2023.
Për vitin 2024 të ardhurat e kompanisë “BILLA” ranë me 7%, ndërsa fitimet u tkurrën 20% krahasuar me 2023.
Për kompaninë “Haki Sinani” të ardhurat në 2024 u rritën 8% dhe fitimet 23%, në raport me vitin paraardhës. Të ardhurat e kompanisë TEOREN për vitin 2024 u rritën me 10% dhe fitimet me 32% krahasuar me vitin 2023./Monitor









