Prej vitesh, roli i hekurudhave në transportin e qytetarëve ka rënë ndjeshëm dhe trenat përdoren kryesisht për transportin e mallrave. Ndërkohë vitet e fundit, qeveria dhe Hekurudha Shqiptare me ndihmën edhe të donatorëve, kryesisht Bashkimit Europian po përpiqen të riaktivizojnë rrjetin hekurudhor, si një alternativë shtesë trabsporti për qytetarët dhe bizneset.
Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave ilustrojnë situatën në hekurudhën shqiptare, ku rezulton se gjatësia e rrjetit hekurudhor në shfrytëzim në vend është 253 km. Në shfrytëzim janë linjat hekurudhore: Kufi – Gjorm 93 km, Durrës – Elbasan 76 km, Rrogozhinë – Fier 49 km dhe Fier – Vlorë 35 km. Transporti hekurudhor i mallrave është në distancë 0 – 49 km.

Sipas INSTAT, volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve hekurudhore është 103,7 mijë ton, duke shënuar ulje me 13,8 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2025. Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë në mijë ton-km rezultoi 3.503 nga 4.128 mijë ton-km që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u ulur me 15,1 %.
“Qymyri dhe linjiti; nafta bruto dhe gazi natyror” sipas klasifikimit NST 2007 (Nomeklatura e Statistikave të Transportit), zënë 91,9 % të mallrave të transportuar me hekurudhë, “Lëndë të para të ricikluara; mbetjet e ngurta (bashkiake) dhe mbeturina të tjera” zënë 8,1 %.

Fokusi tek hekurudhat
Hekurudha Shqiptare është futur në një proces transformimi, me qëllim investimin në linjat ekzistuese dhe jo vetëm. Kjo me qëllim bërjen efektive edhe të transportit hekurudhor, në kuadër edhe të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Linja Durrës-Rrogozhinë është investimi më koherent që pritet të bëhet. Procedurat e informimit dhe konsultimit publik për projektin e rehabilitimit dhe elektrifikimit të kësaj linje kanë nisur.
Shoqëria publike bëri të ditur se procesi po zhvillohet në kuadër të përgatitjes së dokumentacionit mjedisor dhe social të projektit, i cili shtrihet në territorin e bashkive Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë..
Sipas përmbledhjes joteknike të projektit që shoqëron këtë fazë, ndërhyrja parashikon rindërtimin, modernizimin dhe elektrifikimin e rreth 33 kilometrave linjë hekurudhore ekzistuese, nga zona e Shkozetit në Durrës deri në stacionin e Rrogozhinës.
Projekti konsiderohet pjesë e Korridorit VIII Pan-Europian, që lidh rajonin e Adriatikut me Ballkanin Lindor dhe rrjetin europian të transportit. Sipas dokumentit, rehabilitimi i segmentit është përfshirë në prioritetet e qeverisë shqiptare për integrimin e rrjetit hekurudhor me rrjetin Trans-Europian të Transportit (TEN-T).
Financimi i projektit mbështetet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe fondet e Bashkimit Europian.
Një tjetër nismë që qeveria synon ta aktivizojë dhe ta bëhë funksionale deri në fund të vitit 2027 është shërbimi hekurudhor për linjën Durrës-Tiranë-Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Thirrja për shprehje interesi me qëllim gjetjen e operatorëve që do të ofrojnë këtë shërbim u publikua më 27 maj 2026 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në koordinim me Hekurudhën Shqiptare. Ndërkohë që kompanitë ose konsorciumet e interesuara kanë pasur afat deri më 26 korrik 2026 për të dorëzuar shprehjen e interesit.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është ai i hekurudhës Vorë – Hani i Hotit, që parashikon 13 stacione përgjatë saj, ku një pjesë e mirë e tyre janë në linjën ekzistuese, por që mund të zhvendosen me pak metra për të përmirësuar qarkullimin në kontekstin që zonat ndodhen sot.








