Hungaria ka fikur ndriçimin dekorativ në disa prej monumenteve më ikonike të Budapestit, përfshirë ndërtesën e Parlamentit, Kështjellën e Budës dhe Urën e Zinxhirit, në një përpjekje për të kursyer energji gjatë valës ekstreme të të nxehtit.
Masa ka zhgënjyer një pjesë të turistëve, por është mirëpritur nga banorët vendas.
Vala e zgjatur e të nxehtit dhe niveli rekord i ulët i ujit në lumin Danub kanë detyruar Hungarinë të reduktojë prodhimin në centralin e saj të vetëm bërthamor, i cili përdor ujin e lumit për sistemin e ftohjes.
Të enjten, temperaturat arritën në 40–42 gradë Celsius, dukshëm mbi mesataren sezonale për muajin gusht.
Shumë qytetarë hungarezë e konsideruan të drejtë vendimin për kursimin e energjisë, pasi edhe qeveria u ka bërë thirrje konsumatorëve të ulin përdorimin e energjisë elektrike për të lehtësuar ngarkesën në rrjet.
Ndërkohë, edhe në Bukuresht janë ndërmarrë masa të ngjashme. Të mërkurën në mbrëmje, ndriçimi rrugor u ul me një të tretën, ndërsa dritat në monumente dhe muze u fikën plotësisht për të kursyer energji. Masa të ngjashme janë zbatuar edhe në qytete të tjera të rajonit.







