Një nga aleatët më të fortë të Partisë Demokratike, Dashamir Shehi ka folur për aksionin opozitar në javët e ardhshme. Në një intervistë për Abc News, Shehi ka thënë se aksioni do të vijojë edhe më i fortë duke filluar prej muajit shtator.
Sipas aleatit të ngushtë të Bashës protesta do të vijojë me një platformë edhe më të gjerë që do të bëjë bashkë të gjithë popullin shqiptar për t’i thënë stop kësaj lloj qeverisje.
“Nuk e di dhe sot në mbledhjen e fundit nuk është se kemi pasur një kalendar afatshkurtër. Por sigurisht që protesta vazhdon dhe mbetet arma kryesore e opozitës, e cila sigurisht do të jetë e shoqëruar me një propozim politik. Propozim për ta ndryshuar të gjithë fytyrën e shteti shqiptar. Nga pjesa kushtetuese në një ligj të ri zgjedhor. Ndryshim të sistemi politik nëpërmjet një ligji të ri zgjedhor dhe do ta bëjë protagonist popullin në zgjedhje. Do të ndërtojmë një platformë të madhe politike e cila ia merr pushtetin shtetarëve të sotëm edhe ia rikthen qytetarëve nëpërmjet një sistemimi me mandate të kufizuar… Nga Shtatori e pas ne do të ngremë një dallgë të madhe në të gjitha drejtimet duke filluar nga protesta e rrugës derisa ta shporrim këtë lloj regjimi”.