Katër astronautët në bordin e Artemis II po na japin pamjen e parë të asaj që ata shohin nga hapësira. Pamjet janë të jashtëzakonshme. Ata nisën misionin e tyre drejt Hënës të mërkurën. Kjo është hera e parë që njerëzit largohen nga Toka për të udhëtuar drejt Hënës që nga misioni Apollo 17 në vitin 1972.
Kjo është pamja mbresëlënëse e Tokës e kapur nga astronautët në bordin e Artemis II, ndërsa katër anëtarët e ekuipazhit udhëtojnë drejt Hënës. Një prej anëtarëve të ekuipazhit përshkroi momentin kur panë prapa drejt Tokës, duke thënë se ishte një pamje spektakolare nga poli në pol dhe e përshkroi Tokën si një pikë blu të zbehtë përmes syve të ekuipazhit.
Lakiesha Hawkins, zëvendësdrejtoreshë në detyrë e programit Artemis të NASA-s thekson se “kjo është, në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe simbolik, përpjekja jonë për të arritur në Hënë.”
NASA dha një përditësim të premten pasdite, në ditën e tretë të një misioni që pritet të zgjasë 10 ditë. Artemis II u nis të mërkurën në mbrëmje. Qëllimi është që astronautët të studiojnë më tej sipërfaqen e Hënës. Udhëtimi do t’i çojë ata rreth Hënës dhe më pas do të kthehen në Tokë.
“Të jesh në gjendje të shohësh me sy njerëzor sipërfaqen e Hënës është një arritje shumë e madhe”, tha Judd Frieling, drejtor i fluturimit të Artemis II.
Kjo është pjesë e planit afatgjatë të NASA-s për të rikthyer njerëzit në Hënë dhe për të vendosur përfundimisht një prani të qëndrueshme atje.
Howard Hu, menaxher i programit Orion në NASA-s thekson se “po ndërtojnë një sistem transporti dhe, për të pasur një sistem të besueshëm dhe të qëndrueshëm, është e nevojshme të testohen fluturimet”. Anëtarët e ekuipazhit jetojnë, ushqehen, flenë, ushtrohen dhe kryejnë eksperimente shkencore brenda kapsulës Orion, e cila është afërsisht sa madhësia e një furgoni kampingu. Ndërkohë, në Tokë, familjarët e tyre po festojnë. Victor Glover Sr., babai i një astronauti të Artemis II thotë: “Kam derdhur disa lot, por ishte nga krenaria e madhe dhe nga lumturia që ndjej për djalin tim dhe për këtë aventurë së bashku me shokët e tij të ekuipazhit”.
Ekuipazhi pritet të kthehet në Tokë më 10 prill.







