“Shqipëria s’ka më shumë korrupsion se Europa”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në eventin Matchmarket Albania, në përgjigje të kritikëve të vendeve europiane, duke theksuar se këtë e dëshmojnë zhvillimet ekonomike dhe rritja e investimeve.
“Kur njerëzit flasin për Shqipërinë bien pre e disa stereotipeve si korrupsioni e krimi i organizuar. Por kjo nuk është Shqipëria. Ne nuk kemi më shumë korrupsion se çdo vend tjetër. Nuk do të përmend, po themi xhirot apo qarkullimin e drogës në Europë, nuk do të bëj krahasim. Për ata që thonë se jemi më të këqijtë, iu them, shikoni veten tuaj dhe le të bëjmë punën tonë më të mirë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, Shqipëria ka arritur të tërheqë rreth 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit vetëm në turizëm, ndërsa numri i turistëve ka arritur në 12 milionë, duke e shndërruar vendin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës.
“Sot, si dëshmi ndryshimi, ne kemi ecur nga një vend me pak muaj turizmi, me pak miliona turistë, në një vend me shumë më tepër muaj turizmi, me 12 milionë turistë dhe 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit. Nuk më duke vend që po vuan nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ky është fakt. Do doja të bëja një votim të fshehtë këtu. A keni pasur eksperiencë korrupsioni? Unë synoj të marr 98 përqind jo. Do synojmë të arrij 100 përqind. Por ata që këndojnë këtë refren, duhet të ndalen”, theksoi kryeministri.
Ai theksoi se objektivi i qeverisë është rritja e eksporteve në 1 miliard euro dhe arritja e sovranitetit të plotë energjetik deri në fund të dekadës, përmes diversifikimit dhe inovacionit në sektorin e energjisë.
“Objektivi ynë për t’i çuar eksportet në 1 miliard euro, është brenda mundësisë sonë. E treta, ekonomia digjitale. Jemi vendi i parë që i ka lënë hapësirë në qeveri një ministre virtuale të Inteligjencës Artificiale, digjitalizimi për ne, përfaqësohet bekim për shumë vende që janë në zhvillim. Energjia, është sektor që lidhet me diversifikimin, inovacionin, po diversifikojmë portofolin e burimeve të energjisë. Ecim drejt objektivit ambicioz të sovranitetit të plotë, për të arritur në një të ardhme ku asgjë të mos jetë e paparashikueshme. Deri në fund të dekadës, Shqipëria të jetë sovrane për energjinë. Ne nuk kemi më shumë korrupsion se çdo vend tjetër”, theksoi Rama.
Rama u ndal te sektorët kryesorë të zhvillimit, ku veçoi turizmin dhe bujqësinë.
“Po përgatisim disa investime të mëdha, synojmë një turizëm të një niveli tjetër të të kuptuarit. Shtylla e dytë, bujqësia inteligjente, që shfaqet, duket si fushë sfiduese. Shumë produkte, prodhuar në Shqipëri, po zhvillohen me shpejtësi të madhe”.








