Nga Florjan Zekja
Nga zhvillimet e fundit gjeopolitike po bëhet gjithnjë e më e qartë se ekonomia globale është futur në një epokë pasigurie të vazhdueshme. Konfliktet në Lindjen e Mesme nuk po ndikojnë vetëm tregjet e energjisë apo stabilitetin politik rajonal; ato po godasin drejtpërdrejt një nga sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë moderne — turizmin.
Vlerësimet ndërkombëtare tregojnë se humbjet në turizmin e rajonit arrijnë rreth 600 milionë dollarë në ditë. Transporti ajror për turizëm dhe tranzit është reduktuar ndjeshëm, itineraret janë devijuar, ndërsa çmimet e udhëtimit dhe shërbimeve po rriten me ritme dyshifrore. Një industri që mbështetet mbi sigurinë dhe besimin reagon menjëherë ndaj çdo tensioni gjeopolitik, duke prodhuar pasoja ekonomike të menjëhershme.
Megjithatë, ekonomitë e shumë vendeve të prekura nuk paralizohen plotësisht. Arsyeja është e thjeshtë: ato mbështeten mbi sektorë prodhues strategjikë, kryesisht energjinë dhe hidrokarburet, të cilët krijojnë një shtresë mbrojtëse financiare ndaj goditjeve ciklike.
Kjo ngre një pyetje thelbësore për Shqipërinë: sa rezistente është ekonomia jonë përballë një krize të ngjashme?
Përgjigjen e kemi parë jo shumë larg në kohë. Pandemia COVID-19 tregoi qartë kufijtë e një ekonomie të mbështetur kryesisht në shërbime. Turizmi u ndal pothuajse plotësisht, ndërtimi u ngadalësua dhe pasiguria ekonomike u rrit ndjeshëm. Në këtë panoramë të vështirë, sektori i manifakturës pësoi një rënie të fortë, por arriti të mbijetojë falë aftësisë për t’u transformuar shpejt. Kompanitë fason orientuan prodhimin drejt veshjeve mjekësore për tregjet europiane, duke ruajtur aktivitetin ekonomik dhe vendet e punës.
Ky ishte një demonstrim praktik i një parimi ekonomik të njohur: ekonomitë që prodhojnë kanë kapacitet më të madh përshtatjeje.
Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit, një sektor që sjell likuiditet të shpejtë dhe gjeneron aktivitet të gjerë ekonomik. Por përvoja ndërkombëtare tregon se ekonomitë që mbështeten kryesisht në konsum dhe shërbime mbeten të ekspozuara ndaj goditjeve të jashtme, të cilat nuk kontrollohen nga politikat e brendshme.
Sfida reale nuk është zgjedhja midis turizmit dhe prodhimit, por ndërtimi i një modeli ekonomik komplementar. Turizmi, ndërtimi, bujqësia dhe industria prodhuese duhet të funksionojnë si pjesë e të njëjtit ekosistem ekonomik, ku secili sektor forcon tjetrin.
Pa një bazë të qëndrueshme prodhuese “Made in Albania”, ekonomia shqiptare mbetet e varur nga importet, nga inflacioni i jashtëm dhe nga luhatjet e tregjeve ndërkombëtare. Prodhimi vendas nuk është thjesht një çështje industriale; ai është një instrument stabiliteti ekonomik dhe social.
Vendosja e prodhuesve dhe eksportuesve në qendër të politikave zhvillimore nuk është proteksionizëm, por pragmatizëm ekonomik. Një ekonomi që krijon vlerë të shtuar brenda vendit prodhon më shumë punësim cilësor, paga më konkurruese dhe një rezistencë më të madhe ndaj krizave globale.
Në një botë ku krizat po bëhen më të shpeshta, më të shpejta dhe më pak të parashikueshme, prodhimi vendas nuk përfaqëson nostalgji industriale. Ai përfaqëson siguri ekonomike.
Dhe pikërisht për këtë arsye, mbështetja e prodhimit vendas duhet të konsiderohet jo thjesht politikë ekonomike, por prioritet strategjik kombëtar.








