Emigrimi i pandalshëm vitet e fundit dhe kryesisht atyre me arsim të lartë dhe kualifikime ka detyruar bizneset që të rrisin pagat e kësaj kategorie.
Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në në tremujorin e katërt të vitit 2025, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ishte 86.984 lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, paga mesatare mujore bruto është rritur me 4.3 %, ndërsa kundrejt tremujroti të kaluar është rritur me 4.4 %.

Statistikat e detajuara tregojnë se në tremujorin e katërt 2025, krahasuar me tremujorin e katërt 2024, vërehet një zhvendosje e shpërndarjes së të punësuarve drejt pagave më të larta. Pjesa e grupit me paga mbi 120 mijë lekë u rrit nga 14.1% në 16.2%, ndërsa ajo e intervalit 95.001–120.000 lekë nga 12,8% në 13.2%. Ndërkohë, pjesa e të punësuarve deri në pagën minimale ra nga 14.2% në 12.8%.
“Krahasuar me tremujorin e tretë 2025, rritja kryesore vërehet sërish në grupin mbi 120 mijë lekë (nga 14.2% në 16.2%), ndërsa intervalet 40.001–95.000 lekë shënuan ulje të lehtë. Në tërësi, shpërndarja në Tr. IV 2025 paraqitet më e përqendruar në nivelet më të larta të pagës”, thekson INSTAT.
Emigrimi i fuqisë së kualifikuar punëtore ka krijuar probleme në tregun e punës dhe ka ulur produktivitetin e bizneseve shqiptrare dhe rrjedhimisht, edhe konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë.








