Është zhvilluar në Hania të Kretës Seminari XV i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi me temën: “𝐍𝐝ë𝐫𝐭𝐡𝐮𝐫𝐣𝐚 𝐞 𝐦ë𝐬𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐫𝐚𝐝𝐢𝐜𝐢𝐨𝐧𝐚𝐥 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞 𝐦𝐞 𝐝𝐢𝐠𝐣𝐢𝐭𝐚𝐥𝐢𝐳𝐢𝐦𝐢𝐧: 𝐑𝐨𝐥𝐢 𝐢 𝐭𝐞𝐤𝐧𝐨𝐥𝐨𝐠𝐣𝐢𝐬ë 𝐧ë 𝐫𝐫𝐢𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐦𝐨𝐭𝐢𝐯𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭ë 𝐟ë𝐦𝐢𝐣ë𝐯𝐞 𝐭ë 𝐝𝐢𝐚𝐬𝐩𝐨𝐫ë𝐬.”
Në këtë seminar morën pjesë mësues të shkollave shqipe nga e gjithë Greqia. Të pranishëm ishin gjithashtu, përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe personalitete të fushës së arsimit, mes tyre Zv. Kryetarja e Parlamentit, znj. Klodiana Spahiu, Ambasadorja e Shqipërisë në Athinë, znj. Luela Hajdaraga, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, për Greqinë. z. Ermal Sulaj, si dhe profesorët z. Shezai Rrokaj dhe Dr. Besnik Rama.
Seminari synoi rritjen e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë, modernizimin e praktikave mësimore përmes mjeteve digjitale dhe ndërtimin e një qasjeje bashkëkohore që e afron fëmijën me gjuhën amtare. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi bën një punë shumë të mirë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në Greqi, duke bashkuar dhe forcuar përkushtimin e mësuesve anëtarë të LMSHG.
Në vitet e fundit, shteti shqiptar ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e politikave arsimore për diasporën, duke e konsideruar mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit pjesë integrale të politikave publike. Përmes kurrikulave të harmonizuara, teksteve mësimore dhe programeve të formimit profesional, synohet forcimi i lidhjes së brezave të rinj me gjuhën dhe kulturën e tyre.
Vëmendja, kujdesi dhe prezenca e përfaqësuesve të shtetit shqiptar përforcon idenë se ruajtja e gjuhës shqipe jashtë atdheut kërkon jo vetëm vullnet individual, por edhe bashkërendim institucional dhe profesional. Në këtë proces, bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për diasporën mbetet thelbësor për të garantuar vazhdimësi dhe mbështetje për arsimin shqip në diasporë.
Ky seminar dëshmon se ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm një përpjekje individuale, por një angazhim i përbashkët institucional.
Agjencia Kombëtare e Diasporës, në përmbushje të misionit të saj, vijon të bashkëpunojë me institucionet shtetërore dhe organizatat e diasporës për mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në forcimin e rolit të mësuesit shqiptar dhe në ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë.
Në këtë mënyrë, bashkëpunimi institucional me diasporën bëhet motor i fuqishëm për të garantuar vazhdimësinë e trashëgimisë kulturore, identitetit gjuhësor dhe kulturor të brezave të rinj jashtë atdheut.












