Pak ditë më parë u hapën aplikimet për përfitimin e vlerës së kompensimit për arsimin e fëmijëve, për të gjithë ata individë që plotësuan Deklaratën Vjetore e të Ardhurave Personale, DIVA 2025 dhe rezultuan me tatim të mbipaguar nga zbritja e shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë apo 100 mijë lekë në vit për fëmijët nën 18 vjeç.
Vlera e kompensimit nuk do të disbursohet menjëherë pas dorëzimit të kërkesës për rimbursim, në llogaritë bankare të përfituesve.
Administrata tatimore sqaroi se pas dorëzimit të kërkesës do të bëjë verifikimet e nevojshme të dokumentacionit justifikues të shpenzimeve të dorëzuara nga individët aplikues.
Duke qenë se dhënia e kompensimit për arsimin e fëmijëve, zbatohet për herë të parë, pritet që vlera e kompensimit të disbursohet një herë në muaj për një numër të caktuar përfituesish. Tatimet sqaruan se është zgjedhur kjo procedurë me qëllim administrimin sa më efikas të numrit të lartë të verifikimeve, të cilat para dhënies së kompensimit do t’i nënshtrohen edhe verifikimit të nevojshëm të dokumentacionit të dorëzuar.
Afati i lejuar për dorëzimin e kërkesës për rimbursim është 60 ditë pas plotësimit të DIVA.
Ndërsa afati për plotësimin e DIVA 2025 është deri më 31 Mars.
Pas plotësimit dhe dorëzimit të DIVA, kërkesa për përfitimin e kompensimit do të bëhet nëpërmjet sistemit e-Filing, në rubrikën “Pyetje të Përgjithshme”, ku krahas dokumentit me të dhënat e llogarisë personale bankare (IBAN), përfituesit duhet të ngarkojnë, edhe certifikatën familjare dhe dokumentacionin justifikues që vërteton shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve, si: kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës (faturat) për fëmijët, dokumentet (faturat) për fëmijët, dokumentet (faturat) për pagesën e gjuhëve të huaja etj.
Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për kompensimin e arsimit është në vlerën e 15 mln eurove.
Administrata tatimore parashikon që në total numri i individëve që do të plotësojnë dhe dorëzojnë DIVA 2025 të arrijë në 200 mijë.
Për shkak të aplikimeve të zbritjes së shpenzimeve për arsimin e fëmijëve me vlerë 48 mijë lekë dhe 100 mijë lekë DIVA po plotësohet edhe nga individët që nuk kanë detyrimin ta dorëzojnë, pra ata me të ardhura bruto vjetore nën 1.2 mln lekë.
Për shkak të këtyre ndryshimeve, krahasuar me deklarimet e bëra në 2025 për DIVA 2024, parashikon që numri i deklaruesve të rritet me rreth 75.5 mijë apo 60% më tepër./Monitor








