Ekonomitë e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian vijuan rritjen edhe në fund të vitit, por me ritme të moderuara dhe nën presionin e vazhdueshëm të faktorëve të jashtëm.
Sipas raportit të fundit tremujor të Komisionit Europian për vendet kandidate, rritja ekonomike në rajon u mbështet kryesisht nga konsumi i brendshëm, ndërsa kontributi i tregtisë së jashtme mbeti i dobët.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) real i rajonit u rrit me 2.6% në baza vjetore, i njëjti ritëm si në tremujorin paraardhës.
Normat e rritjes ekonomike varionin nga 2% në Serbi deri në 3.8% në Maqedoninë e Veriut. Serbia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, tre ekonomitë më të mëdha të rajonit, ruajtën në përgjithësi të njëjtin ritëm zgjerimi ekonomik si në tremujorin paraardhës.
Kosova regjistroi ngadalësimin më të fortë të rritjes, ndërsa Mali i Zi shënoi një normë rritjeje pak më të ulët krahasuar me tre muajt e mëparshëm.
Rritja ekonomike u nxit përgjithësisht nga kërkesa e brendshme. Konsumi privat mbeti një kontribuues kyç në rritjen e PBB-së në tremujorin e tretë të vitit 2025, megjithëse rritja e tij në baza vjetore u ngadalësua krahasuar me tremujorin paraardhës në disa ekonomi të rajonit.
Konsumi i familjeve u mbështet nga rritja e vazhdueshme dhe e fortë e pagave në të gjithë rajonin. Rritja e investimeve u përshpejtua në shumicën e vendeve të rajonit, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa në Serbi investimet u tkurrën, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë.
Dinamikat e tregtisë u karakterizuan përgjithësisht nga rritje më e fortë e importeve sesa e eksporteve, duke rezultuar në kontribute negative të tregtisë ndërkombëtare në rritjen e prodhimit.
Treguesit e tregut të punës vijuan të paraqesin një tablo të përzier në tremujorin e tretë të vitit 2025. Rënia e punësimit mesatar në rajon u përshpejtua në 1.4% në baza vjetore, nga 0.6% në tre muajt paraardhës, ndërsa pjesëmarrja në fuqinë punëtore vijoi të rritet në disa ekonomi.
Normat e papunësisë ranë në të gjithë rajonin, me përjashtim të Shqipërisë, ku norma vjetore e papunësisë u rrit lehtë (por ra në terma tremujorë), dhe të Serbisë. Normat e papunësisë varionin nga 8.2% në Serbi deri në 11.7% në Maqedoninë e Veriut, duke mbetur dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Raporti vëren se, ndonëse inflacioni ka vijuar të zbutet në shumicën e vendeve, punësimi ka shfaqur shenja ngadalësimi, ndërsa rritja e importeve ka tejkaluar atë të eksporteve, duke ushtruar presion mbi bilancet tregtare. Investimet mbeten të pabarabarta mes vendeve dhe të ndjeshme ndaj pasigurisë globale, normave të interesit dhe zhvillimeve gjeopolitike.
Në nivel rajonal, Komisioni Europian thekson se rritja ekonomike mbetet e brishtë dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve, ndërsa nevoja për reforma strukturore, forcimin e klimës së biznesit dhe përmirësimin e produktivitetit mbetet e lartë.
Shqipëria, vrulli i ekonomisë po bie
Për Shqipërinë, raporti thekson se rritja reale ekonomike në Shqipëri mbeti pozitive në tremujorin e tretë të vitit 2025, por me një ritëm më të moderuar krahasuar me periudhat e mëparshme. Aktiviteti ekonomik vijoi të zgjerohej, megjithëse treguesit sinjalizojnë një ngadalësim gradual të vrullit të rritjes.
Zgjerimi ekonomik në këtë periudhë u mbështet kryesisht nga konsumi privat, i cili vijoi të jetë kontribuuesi kryesor në rritjen reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithatë, raporti evidenton se dinamika e konsumit është zbutur, duke reflektuar kushte më të shtrënguara financiare dhe ndikimin e pasigurive të jashtme mbi kërkesën e brendshme.
Aktiviteti ekonomik vijoi rritjen e qëndrueshme në tremujorin e tretë të vitit 2025, me PBB-në reale që u rrit me 3.7% në baza vjetore, në linjë me tremujorët paraardhës (3.8% në tremujorin e parë dhe 3.6% në tremujorin e dytë), por me një ritëm më të moderuar krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024 (4.4% në baza vjetore).
Rritja e konsumit privat u ngadalësua ndjeshëm, duke zbritur në 1.3% në baza vjetore në tremujorin e tretë të vitit 2025, nga 4% në tremujorin paraardhës, ndërsa mbeti lehtësisht mbi nivelin e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit 2024 (1.1%).
Konsumi qeveritar u rrit me 7.7% në baza vjetore në tremujorin e tretë të vitit 2025, por me një ngadalësim të fortë krahasuar me ritmin prej 16.3% të regjistruar në tremujorin e tretë të vitit 2024.
Rritja e investimeve arriti në 4.8% në baza vjetore në tremujorin e tretë të vitit 2025, duke qenë më e ulët se norma e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit 2024 (8%).
Kushtet e tregut të punës vijuan të përmirësohen në tremujorin e tretë të vitit 2025. Sipas Anketës së Forcave të Punës, norma e punësimit (grupmosha 15–64 vjeç) u rrit me 0.4 pikë përqindje në baza vjetore, duke arritur në 69.6%.
Norma e papunësisë për të njëjtën grupmoshë u rrit lehtë me 0.1 pikë përqindje në baza vjetore, por ra me 0.4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin paraardhës, duke u vendosur në 9%.
Norma e papunësisë së të rinjve ra me 2.8 pikë përqindje në baza vjetore, në 15%. Norma e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore (15–64 vjeç) u rrit me 0.6 pikë përqindje në baza vjetore, duke arritur në 76.5% në tremujorin e tretë të vitit 2025.
Kjo rritje u mbështet nga një rritje më e fortë e pjesëmarrjes së grave, e cila u rrit me 0.7 pikë përqindje në baza vjetore, në 70.2%, duke kontribuar në ngushtimin e mëtejshëm të hendekut gjinor.
Në tremujorin e tretë të vitit 2025, paga mesatare mujore nominale arriti në 83,300 lekë (rreth 862 euro), duke shënuar një rritje 7.3% në baza vjetore. Ndërsa pagat mesatare në sektorin publik shënuan një rritje 3.2% në baza vjetore, pagat në sektorin privat u rritën ndjeshëm, me 9.8% në baza vjetore. Paga minimale mbeti e pandryshuar në 40,000 lekë në muaj./Monitor







