Tregu i automjeteve në Shqipëri gjatë vitit 2025 është karakterizuar nga diversitet dhe rritje e qëndrueshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se automjetet e regjistruara gjatë këtij viti vijnë nga disa prej shteteve më të fuqishme prodhuese në botë. Peshën kryesore në treg e mban Republika e Koresë, e cila kryeson me 21.4%, e ndjekur nga Gjermania me 15.6% dhe Italia me 15.4%. Ndërkohë, Kina zë 9.1% të tregut, Zvicra zë 8.4%, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës 8%.
Ky zhvillim dëshmon një treg në rritje, që pasqyron zgjedhjet, nevojat dhe nivelin e zhvillimit të qytetarëve shqiptarë.
Paralelisht me këtë rritje, vihet re një orientim drejt automjeteve miqësore me mjedisin. Vit pas viti, flota e mjeteve në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më “green”. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 6 mijë e 187 automjete plotësisht elektrike, duke shënuar një rritje prej 98% krahasuar me vitin 2024.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga DPSHTRR, 44.4% e autoveturave me km 0 të regjistruara në periudhën janar- dhjetor 2025 janë all electric ose 65% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Shtimi i mjeteve elektrike në qarkullim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt uljes së ndotjes, kursimit të energjisë dhe ndërtimit të një sistemi transporti më të pastër, më të qëndrueshëm dhe më miqësor me mjedisin./Tv Scan








