Bizneset dhe qytetarët po shfaqen pesimistë. Vrojtimi i fundit I Bankës së Shqipërisë tregon një rënie të treguesit të Ndjesisë Ekonomike në nëntor, treguesi që dëshmon për qasjen e agjentëve ekonomikë mbi aktualitetin ekonomik në vend.
Në këtë periudhë, Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi rënie prej 2.6 pikësh, por duke mbetur rreth 6 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rënia e TNE-së u ndikua nga ulja e besimit të bizneseve, ndërkohë që besimi konsumator u përmirësua.

Treguesi i besimit të industrisë (TBI) nuk pësoi ndryshime krahasuar me muajin e kaluar, duke qëndruar rreth 1.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia në komponentin e vlerësimit të bizneseve për kontratat porositëse nga eksportet dha kontribut negativ në TBI. Nga ana tjetër, vlerësimi i bizneseve për prodhimin industrial aktual regjistroi rritje të lehtë. Gjithashtu, me rritje janë dhe pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u ul me 3.1 pikë përqindje në muajin nëntor. Aktualisht, niveli i tij është 14.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rënien mujore ndikuan të dy komponentët: vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale. Pritjet për çmimet vazhduan të bien këtë muaj.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) u ul me 5.7 pikë përqindje këtë muaj. Pavarësisht kësaj rënieje, niveli i TBSH-së qëndron rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e besimit u ndikua nga vlerësimet më pak pozitive të bizneseve për nivelin e kërkesës dhe ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen vazhduan të bien.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) ra me 2.3 pikë përqindje në muajin nëntor, megjithatë niveli i tij mbetet rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia u ndikua kryesisht nga vlerësimet në ulje për nivelin e punësimit në të ardhmen. Komponenti tjetër i TBT-së, vlerësimi për ecurinë aktuale të shitjeve, nuk ndryshoi krahasuar me muajin e mëparshëm. Pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan rritje.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) u rrit me 0.8 pikë përqindje në muajin nëntor. Niveli i tij qëndron 1.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja u ndikua kryesisht nga pritjet më optimiste për gjendjen personale financiare, si dhe situatën ekonomike në të ardhmen. Nga ana tjetër, komponentët e blerjeve të mëdha, aktuale dhe të pritura, nuk pësuan ndryshime në krahasim me muajin e kaluar.







