Shoqata Shqiptare e Bankave kundërshton propozimin e qeverisë shqiptare për vendosjen e një limiti prej 500 mijë lekësh për pagesat cash të individëve.
Në dëgjesën e kryer në Komisionin Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, sekretari i Shoqatës, Spiro Brumbulli, vlerësoi pozitivisht në parim nismën për të vendosur një kufi për pagesat cash të individëve. Por, sipas tij, niveli prej 500 mijë lekësh është shumë i lartë dhe nuk i shërben aspak përpjekjes për të luftuar informalitetin dhe ekonominë e cash.
“Është pozitive që ulet kufiri për bizneset, nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë. Kjo tregon një frymë në favor të formalizimit të ekonomisë. Por, vendosja për individët e një tavani në shumën 500 mijë lekë është jashtë çdo analize dhe eksperience. Vendet e rajonit, si Greqia, Maqedonia e Veriut e kanë limitin 500 euro dhe e kanë njësoj, si për bizneset, ashtu edhe për individin.
Çfarë kuptimi ka të vendosim një limit prej 500 mijë lekësh për individin, kur paga mesatare është rreth 90 mijë lekë dhe ndërkohë që limit për biznesin parashikohet në 100 mijë lekë? Propozimi ynë është që tavani për veprimet në cash të jetë diku te 50-60 mijë lekë. Nuk e kuptoj cili është argumenti për një tavan prej 500 mijë lekësh.
Ne nuk jemi as Gjermani, as Hollandë, që janë vende me shkallë shumë të ulët informaliteti. Kjo masë nuk përputhet me të gjitha përpjekjet që po bëjmë për të luftuar informalitetin dhe paranë cash në ekonomi,” tha z.Brumbulli.
Qeveria shqiptare në paketën e fundit fiskale ka propozuar ndryshime ligjore që vendosin një kufi prej 500 mijë lekësh për pagesat cash të individëve. Gjithashtu, limit për pagesat cash të bizneseve propozohet të ulet nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë.
Një propozim tjetër është detyrimi një pjesë të mirë të bizneseve të pajisen me terminale të pikave të shitjes ose ndërveprimit (POS/POI), për të mundësuar pranimin e pagesave elektronike.
Pajisja me terminalet POS për hotelet dhe strukturat akomoduese, sektorin e transportit dhe
për institucionet publike e shoqëri publike propozohet brenda datës 30 maj 2026, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë brenda datës 31 dhjetor 2026.
Megjithatë, pjesa më e madhe e bizneseve të vogla do të përjashtohet nga ky detyrim. Konkretisht, sipas projektligjit, do të përjashtohen nga detyrimi i pajisjes me terminal POS tatimpaguesit, që ushtrojnë aktivitet ekonomik në zonat, ku nuk ka mbulim me internet; tatimpaguesit, që përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar faturë, sipas ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, si edhe tatimpaguesit, të cilët përmbushin njëkohësisht katër kriteret e mëposhtme: nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar; kanë përgjegjësi tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi; nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit; kanë statusin kategorinë e punësimit “i vetëpunësuar i vetëm”.
Me qëllim dhe uljen e kostove të implementimit të këtyre politikave, si për bizneset dhe tatimpaguesit, Ministria e Financave nënvizon se nga Banka e Shqipërisë janë ndërmarrë dhe po vijojnë të ndërmerren një sërë masash në kuadër të uljes së kostove të transaksione bankare, si dhe tarifave për pajisjen me terminalin POS.
Ndër këto lehtësi, përmenden ofrimi i terminalit POS falas për 12 muaj nga Mastercard, duke filluar nga data 1 maj 2025, apo adoptimi i pritshëm i direktivës së Bashkimit Europian “Interchange Fee Regulation”, e cila vendos një tavan kufizues për tarifat e bankave.
Sipas Ministrisë së Financave, këto masa synojnë përdorimin e mjeteve elektronike, rritjen e gjurmueshmërisë, formalizimin e ekonomisë private dhe reduktimin e evazionit fiskal.






