Për njerëzit e pasur në mbarë botën, nuk ka një destinacion më mikpritës se Dubai.
Sipas një studimi të kryer nga kompania ndërkombëtare e pasurive të paluajtshme Savills, e cila renditi 30 qytete globale bazuar në tërheqjen që kanë për individët me pasuri të lartë, emirati i Dubait po tërheq një valë të re milionerësh ndërkombëtarë. Shumë prej tyre janë joshur nga përfitimet fiskale të qytetit, mungesa e taksave mbi trashëgiminë, fitimet kapitale dhe pasurinë, si dhe nga infrastruktura e fortë për familjet dhe niveli i lartë i sigurisë, thuhet në raport.
Në raportin e dërguar klientëve, Savills thekson se shumë shkolla ndërkombëtare në Dubai po përballen me lista pritjeje gjithnjë e më të gjata, pasi familje të reja zhvendosen në qytet. “Dubai është shtëpia e numrit më të madh të shkollave ndërkombëtare në krahasim me çdo destinacion tjetër në indeksin tonë”, nënvizon raporti. Sipas Savills, pasuria globale është duke u rimëkëmbur nga rënia e vitit 2022, me rajonin e Azisë dhe Paqësorit që po njeh rritjen më të shpejtë.
Vetëm gjatë vitit 2024, më shumë se 680 mijë milionerë të rinj në dollarë amerikanë u shtuan në botë, një rritje prej 1.2% krahasuar me një vit më parë, dhe deri në vitin 2029 pritet të shtohen mbi pesë milionë të tjerë. Ndërkohë, mjedisi i favorshëm për biznes është bërë një faktor vendimtar në zgjedhjen e vendit ku individët e pasur vendosin të jetojnë. Sipas raportit, Dubai dhe New York, dy qytetet kryesore në renditjen e Savills, kanë tërhequr elitat globale falë klimës pro-biznes, avantazheve tatimore dhe stabilitetit gjeopolitik.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është “Golden Visa” e Emirateve të Bashkuara Arabe, që ofron rezidencë 10-vjeçare me tatime minimale, në këmbim të një investimi prej dy milionë dirhamesh (rreth 710 mijë dollarë singaporianë). Në Itali, aplikimi i taksës së sheshtë mbi të ardhurat globale ka nxitur kërkesën për prona luksoze në qytete si Milano.
Savills thekson gjithashtu një “largim të dukshëm nga qendrat tradicionale financiare” drejt qyteteve të teknologjisë, ku qytete si Shenzhen dhe Bengaluru kanë regjistruar rritje trefish të numrit të milionerëve gjatë dekadës së fundit. Rritja ekonomike në rajonin e Azisë dhe Paqësorit ka çuar gjithashtu në një rritje të numrit të individëve të pasur, duke ndihmuar qytete si Shanghai, Bangkok dhe Tokio.
Ndërkohë, taksat e trashëgimisë mbeten një faktor kyç që ndikon në vendimet e brezit të pasur më të moshuar për blerjen e pronave, duke bërë që disa qytete të humbasin pozicion në renditje. Londra, megjithëse renditet e para për cilësinë e jetesës, është penalizuar për shkak të sistemit të rënduar fiskal që ka zbehur kërkesën për pasuritë e saj luksoze gjatë këtij viti.
“Peizazhi i ri fiskal ka pasur një efekt ftohës në tërheqjen e Londrës tek brezi më i moshuar i të pasurve,” shkruajnë studiuesit e Savills. “Në të kundërt, juridiksione si SHBA, ku pragjet e taksimit janë më të larta, ose Lindja e Mesme, ku ato pothuajse nuk ekzistojnë, renditen dukshëm më lart.”/BT, Business Mag





