Hartimi i Paketës së re Fiskale është përmbyllur dhe ajo pritet të paraqitet së shpejti për shqyrtim në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Ndër masat kryesore që parashikon kjo paketë është falja e detyrimeve tatimore të bizneseve që datojnë më shumë se 10 vite më parë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se Paketa Fiskale do t’i përfshijë edhe faljen e pjesshme të detyrimeve tatimore të krijuara nga viti 2015 deri në fund të 2019-s, me kusht që bizneset të shlyejnë një pjesë të borxhit. Sipas tij, do të fshihen 50% e detyrimeve për periudhën 5-10 vite nëse pjesa e mbetur paguhet menjëherë, ose 25% në rast pagese me këste brenda një viti, duke përfshirë gjithashtu heqjen e gjobave dhe interesave. Për borxhet më të reja, të krijuara në 5 vitet e fundit, parashikohet fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që të paguhet plotësisht tatimi apo kontributi përkatës.
Por, sa është borxhi që bizneset kanë ndaj shtetit?
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, në fund të vitit 2024 bizneset shqiptare i detyrohen shtetit 162.5 miliardë lekë, ose rreth 1.6 miliardë euro. Gjatë vitit të kaluar, stoku i borxhit u rrit me 7.3 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 4.7% krahasuar me fillimin e vitit.
Përgjatë dhjetë viteve të fundit stoku i borxhit të biznesit është rritur vit pas viti, përjashtim bën vetëm 2017-ta. Në vitin 2023, bizneset shqiptare i detyroheshin shtetit rreth 155.2 miliardë lekë.
Pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve është e akumuluar prej kohësh. Rreth 84.7% e borxhit është më i vjetër se dy vite, ndërsa 64.4% i kalon pesë vitet. Pikërisht kjo pjesë është ajo që mund të përfshihet në faljen e re fiskale. Në vlerë, kjo përfaqëson rreth 507 milionë euro që do të hiqen nga evidencat e shtetit.
Pra, borxhet afatshkurtra deri në 1 vit përbëjnë rreth 14.5 miliardë lekë, ndërsa borxhet afatgjata nga 1 deri në mbi 5 vjet kapin mbi 148 miliardë lekë.
Në përbërjen e borxhit dominojnë tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimi mbi fitimin, që së bashku zënë mbi 60% të totalit. Në vend të tretë janë kontributet shoqërore dhe shëndetësore, me rreth 15% të stokut. Ndërkohë, analizat tregojnë se 74% e detyrimeve i përkasin bizneseve pasive, të cilat nuk operojnë më në treg.
Falja e parashikuar nuk pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e buxhetit, pasi bëhet fjalë për borxhe që nuk po arkëtoheshin. Megjithatë, ajo ndihmon në pastrimin e pasqyrave fiskale dhe në ndarjen e qartë mes detyrimeve reale e atyre të humbura ndër vite./Tv Scan







