Prodhuesi gjerman i ashensorëve, Böcker, iu drejtua rrjeteve sociale pasi vuri re se shkallët e tij ishin përdorur në grabitjen e Luvrit.
Në një postim, kompania shkroi: “Böcker Agilo transporton thesaret tuaja me peshë deri në 400 kg me shpejtësi 42 metra në minutë, pa bërë asnjë zhurmë.”
Kompania familjare gjermane Böcker, me bazë në North Rhine–Westphalia, u bë pa dashje bashkëfajtore në grabitjen më të bujshme të fundjavës në Muzeun e Luvrit, pasi një nga ngritëset e saj mekanike luajti një rol kyç në vjedhjen e guximshme.
Të dielën, autorët e ngjarjes parkuan një kamion me platformë ngritëse pranë Luvrit, e përdorën për t’u ngjitur në një tarracë, dhe prej andej hynë në brendësi të ndërtesës, duke vjedhur bizhuteri mbretërore me vlerë 88 milionë euro për vetëm shtatë minuta.
Vetëm një ditë pas grabitjes, Böcker vendosi të reagojë me një postim plot humor të hollë, duke e kthyer incidentin në marketing, pasi u sigurua që askush nuk ishte lënduar gjatë ngjarjes.
Duke folur për AFP, drejtori i përgjithshëm Alexander Böcker tha se vendosën “t’i jepnin situatës pak humor”. “Krimi është, sigurisht, absolutisht i dënueshëm, kjo është krejtësisht e qartë për ne, por ishte një mundësi për të përdorur muzeun më të famshëm dhe më të vizituar në botë për të marrë pak vëmendje për kompaninë tonë.”
Reagimet online ndaj reklamës “guximtare” ishin pozitive, me komente që varionin nga “Kjo mund të jetë reklama më e mirë që kam parë këtë vit!” deri te “një lëvizje brilante marketingu.”
Një përdorues shkroi me humor: “Mesazhi juaj merr kurorën.”
Böcker konfirmoi se ngritësja ishte shitur vite më parë një kompanie franceze, prej së cilës grabitësit e kishin “huazuar” pasi kishin organizuar një demonstratë të rremë javën e kaluar.
Të kapur nga kamera
Duke shtuar jehonën online rreth grabitjes, pamje të reja të incidentit u publikuan në rrjetet sociale, duke treguar arratisjen e qetë të autorëve.
Videoja 36-sekondëshe, e filmuar nga një dritare pranë që shikon mbi Quai François Mitterrand, tregon dy burra të veshur me të zeza, njëri me jelek fosforeshent dhe tjetri me helmetë motoçiklete, teksa zbresin nëpër shkallën Böcker nga Galeria “Apollo” e muzeut.
Sipas prokurores së Parisit Laura Beccuau, grabitja, e cila ndodhi rreth orës 9:30 të mëngjesit, zgjati midis gjashtë dhe shtatë minutash dhe u krye nga katër persona të paarmatosur, të cilët megjithatë kanë kërcënuar rojet.
Zyrtarët thanë se nëntë objekte ishin në shënjestër, por tetë u vodhën, nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe Perandoreshës në Galerinë Apollo.
Një objekt u gjet më vonë jashtë muzeut, tha ministrja Rachida Dati. Mediat franceze e identifikuan atë si kurorën e perandoreshës Eugénie, bashkëshortes së Napoleonit III, të zbukuruar me më shumë se 1 300 diamante. Objekti u gjet i thyer.
Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi ndaj grabitjes në platformën X. Ai shkroi: “Grabitja e kryer në Luvër është një sulm ndaj trashëgimisë që e çmojmë sepse është historia jonë. Ne do t’i rikthejmë veprat dhe autorët do të sillen para drejtësisë.” / Euronews, Shqip.al







