Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, vlera e siguracionit që do të paguajmë për automjtetet do të varet nga historiku ynë si drejtues mjeti. Kjo do të thotë se ata që kanë bërë aksidente do të paguajnë më shumë. Lajmi është bërë i ditur nga kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi. “Nëse incidenca e dëmeve në nivel vendi është 3.8, do të thotë që 3.8% e drejtuesve do të penalizohen, ndërsa të tjerët do të marrin bonus, që do të luhatet”, ka deklaruar ajo.
Sigurimi i automjeteve është përbën aktualisht pjesën dërrmuese të tregut të sigurimeve. Sipas të dhënave rë AMF-së, 69.53% e tregut përbëhet pikërisht nga sigurimi i makinave që është i detyrueshëm me ligj dhe vetëm 16.55% nga sigurimi i pronës dhe 13.92% nga sigurimi i jetës dhe shëndetit.
Cfarë është sistemi bonus-malus?!
Ky sistem synon të “penalizojë” drejtuesit e mjeteve që kanë bërë aksidente. Ndërsa shoferët e rregullt, do të përfitojnë sigurim më të lirë.
Të gjithë drejtuesit e mjeteve që kanë mbi 2 aksidente në 3 vitet e fundit do të paguajnë siguracion më të lartë për makinën. Sigurim më të lartë do paguajnë edhe ata pronarë mjetesh, me makinën e të cilëve është shkaktuar aksident edhe pa qenë ata drejtues.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka miratuar tashmë rregulloren e re për llogaritjen e primit të sigurimit, ku çmimet që drejtuesit e mjeteve do të paguajnë për sigurimin e detyrueshëm do të diferencohen bazuar në disa faktorë risku.
Në përllogaritjen e primit të sigurimit, përveç historikut të aksidenteve do të merret në konsideratë edhe fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës. Moshat e reja, eksperienca e ulët apo makina e vjetër konsiderohen të gjithë rreziqe që shtrenjtojnë siguracionin.
Gjithashtu, faktor risku është edhe qarku ku është regjistruar automjeti ,duke i konsideruar me risk të ulët qarqe si Berati, Dibra apo Kukësi.
Vlerësimi i këtyre rreziqeve vulos edhe sigurimin e ri që do të paguajnë drejtuesit e mjeteve. Nëpërmjet këtij sistemi bonus-malus ku primi do të vendoset në bazë risku synohet që të rritet përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve.