Tregu i sigurimeve ka shënuar rritje në pjesën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për këtë periudhë kapën vlerën 12.8 miliardë lekë, ose 7.99% më shumë se në gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 755,806 me një rritje prej 8.06% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat tregojnë se tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.98% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.99% dhe risigurimi me 0.035% .
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.29% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.71% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar – qershor 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,094 milionë lekë, ose 0.73% më pak se në janar – qershor 2024.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për janar – qershor 2025 kapën vlerën 2,640 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 6.48% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-maj 2025 arritën rreth 7.5 miliardë lekë, ose 13.38% më shumë se në janar – qershor 2024.
Produkti MTPL e brendshme, në janar – qershor 2025, pati një rritje prej 13.39 % të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 7.01% krahasuar me janar – qershor 2024.
Produkti Karton Jeshil në janar – qershor 2025 pati një rritje prej 14.52% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 11.23% krahasuar me janar – qershor 2024.
Produkti Sigurim Kufitar, në janar – qershor 2025, pati një rritje 5.50% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me janar – qershor 2024 dhe numri i kontratave u rrit me 3.74%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë janar – qershor 2025 arritën rreth 5.2miliardë lekë, 1.15 % më shume se janar – qershor 2024. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 9.88% krahasuar me janar – qershor 2024.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-qershor 2025, patën një ulje me 1.55% kundrejt janar – qershor 2024.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë janar – qershor 2025 siguruan mbi 2.3 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 72.97%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 18.16% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë janar – qershor 2025, vihet re një ulje prej 1.06% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.35% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me janar – qershor 2024.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë janar – qershor 2025, arritën në rreth 714 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 9.04% në krahasim me janar – qershor 2024.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë janar – qershor 2025, arritën rreth 1.1 miliardë lekë, ose 12.33 % më shumë se janar – qershor 2024..
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë janar – qershor 2025 u ulen me 0.73% krahasuar me janar – qershor 2024. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3.1 miliardë lekë, apo 76.38% të totalit të dëmeve të paguara bruto.