Qeveria ka vënë në dispozicion të bujqësisë një garanci sovrane me vlerë 3 miliardë lekë. Kjo do të thotë se fermerët mund të marrin kredi në bankë dhe si garanci të lihet ky fond i qeverisë. Gjithsesi vlen të theksohet, se cdo aplikim do të shqyrtohet rast pas rasti nga banka, sic ndodh në një procedurë të zakonshme kreditimi dhe vetëm nëse banka e vlerëson fermerin si të besueshëm dhe të aftë të kthejë huanë, do ta akordojë atë.
Gjatë një tryeze të organizuar me përfaqësues të sektorit bankar për skemën e Garancisë Sovrane për sektorin bujqësor, ministri i Financave, Petrit Malaj zbuloi edhe detaje të tjera të këtij instrumenti financiar. “Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët”, u shpreh z. Malaj.
Elementët kryesorë të skemës janë: garanci deri në 70% të vlerës së kredisë për fermerët dhe SME-të bujqësore; normë interesi e kufizuar në 2% dhe përdorim vetëm për investime që rrisin kapacitetin prodhues dhe konkurrueshmërinë: agropërpunim, mekanikë bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera moderne, etj..
Zbatimi me efikasitet i garancisë sovrane, tha më tej Ministri, kërkon një pjesëmarrje aktive edhe nga vetë fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në të gjithë vendin.
Malaj tha se qeveria shqiptare dhe Ministria e Financave mbeten të angazhuara për të krijuar mjedisin e duhur financiar, ligjor dhe rregullator me qëllim nxitjen e investimeve në sektorët prioritarë të zhvillimit ekonomik.