Nga Teherani në Tiranë… nga Hormuzi në sheshin “Skënderbej”…për çdo raketë drejt dhe nga Tel Avivi… kur horizonti i Lindjes së Mesme ndizet, një faturë mbërrin në derën tonë.
Nga bursat botërore te pompat e karburantit, pasojat vijnë në heshtje, por ndjehen fort. Ky është çmimi i një bote të lidhur fort… edhe kur fijet janë të padukshme.
“Rritja e çmimit të naftës në tregjet globale do të ndikojë te çmimi i naftës në Shqipëri. Duke qenes e hidrokarburet janë baza, ato ndikojnë te çmimet e prodhimit dhe rrjedhimisht te inflacionit. Mbyllja e hapësirës së fluturimit ka ndikuar në anulimin e kontratave të turizmit nga Izraeli”, tha Anastas Angjeli, akademik, president i UMSH.
Donald Trump e hapi “Kutinë e Pandorës” dhe bota rrezikon të përjetojë një krizë edhe më të fortë se ajo e vitit 2008. Në ekonominë globale, kur bota merr ethe, Shqipëria nuk shpëton dot pa temperaturë.
“Parë në këtë kontekst, kemi të bëjmë menjë sinjal shumë të fortë të rrezikut të një krize globale, ekonomike, tregtare. Financiare pse jo, me një përsëritje të krizës së rritjes së çmimeve që mund të shkaktojë një ringjallje të inflacionit”, shtoi Angjeli.
E teksa kushtet nuk ishin pjekur para përshkallëzimit të konfliktit, zor se në këtë situatë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zbusë më normën bazë të interesit për lekun. Pra kreditë , në rastin më të mirë nuk do të bëhen më të lira.
“Ne mund të mos vazhdojmë me politikën tonë monetare siç ishte edhe mbledhja e kaluar apo mbledhja e ardhshme që do të vijë… që të ndryshojmë politikën monetare… por unë nuk besoj … vetëm nëse vjen ndonjë shpërthim përtej parashikimeve, të kemi një inflacion mbi 3 përqind.”
Krizat godasin njësoj.. vetëm se disa i ndiejnë më fortë e të tjerë më lehtë. Me fitore si ato të Pirros, Shqipëria ja ka dalë të ngrejë kokë pas krizës së pandemisë, tërmetit apo mësymjes ruse në Ukrainë. E që fitoret të mos jenë të gjitha të mbushura me humbje, vendi ka nevojë të kthejë sytë seriozisht te bujqësia.
“Kemi një fragmentarizim të paimagjinueshëm. Frika nga bashkimi, nga kooperativat. Efekti psikologjik që ato kanë krijuar nga koha e komunizmit vijon të jetë në mendjen e fermerëve. Gjë që është shumë negative. Nuk mund të zhvillosh tokën me 1 dynym apo edhe 1 ha.”
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se Shqipëria është pak e lidhur me Izraelin dhe Iranin në drejtim të tregtisë së jashtme. Vendi blen dhe shet pak produkte e shërbime me këto dy shtete./A2 CNN