Treg pune gjithnjë e më konkurrues, ndaj nuk mjafton vetëm të kesh një CV të mirë. Ajo që vërtet bën diferencën është mënyra si paraqitesh në intervistën e punës, një moment kyç që mund të të hapë ose mbyllë dyert drejt karrierës që dëshiron.
Ekspertët e rekrutimit sinjalizojnë një fenomen shqetësues, shumë kandidatë, sidomos të rinj që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, paraqiten të papërgatitur, të veshur jo siç duhet dhe shpeshherë nuk dinë si të komunikojnë në mënyrë profesionale. Madje ka raste kur kandidatët vijnë në intervistë me prindërit, një sinjal i qartë për mungesë autonomie dhe pjekurie.
Në vijim, kemi një përmbledhje të gabimeve më të zakonshme që duhet të shmangësh dhe këshilla praktike që mund të rrisin ndjeshëm shanset për të marrë punën që dëshiron.
Para intervistës, përgatitja është gjithçka
Personalizo CV-në për çdo pozicion: Një CV standard nuk të çon larg. Çdo aplikim kërkon një version të përshtatur, që thekson qartë përvojën dhe aftësitë më të rëndësishme për rolin në fjalë.
Kërko informacion për kompaninë: Të mos dish se ku po aplikon është një minus i madh. Lexo faqen zyrtare, shiko profilin në rrjetet sociale dhe informohu për kulturën e kompanisë.
Përgatit përgjigje për pyetjet më të zakonshme: Si p.sh. “Na thuaj pak për veten”, “Pse dëshiron të punosh këtu?”, “Cilat janë pikat e tua të forta dhe të dobëta?”.
Mendo paraprakisht edhe për pyetjet që do të bësh ti: Të bësh pyetje tregon interes të vërtetë dhe një mendësi të orientuar drejt zhvillimit.
Gjatë intervistës, profesionist në çdo detaj
Vishu me kujdes, edhe për intervistat online: Veshja jote është një mesazh vizual për mënyrën si e sheh rolin që po kërkon.
Kontakti vizual dhe gjuha e trupit kanë rëndësi: Një qëndrim i hapur dhe komunikim i qetë janë sinjale besimi dhe profesionalizmi.
Mos e fshi kamerën në intervistat virtuale: E krijon distancë dhe lë përshtypjen që ke diçka për të fshehur.
Mos u frikëso të thuash ‘Nuk e di’: Në vend që të improvizosh një përgjigje të pasaktë, trego që je i gatshëm të mësosh dhe përshtatesh.
Pas intervistës, nëse s’e bën këtë hap, mund të harrohesh lehtë
Dërgo një email falënderimi brenda 24 orëve: Është një gjest që nuk harrohet. Thekso entuziazmin për rolin dhe rifresko vlerat që sjell ti në pozicion.
Mos u ngut me ndjekjen: Nëse të është thënë se do të kontaktohesh pas disa ditësh, respekto afatin. Kontakti i tepërt mund të shihet si presion.
Në çdo rast, mbylle ciklin me respekt: Edhe nëse nuk e merr pozicionin, një qëndrim profesional ruan lidhje që mund të të vlejnë në të ardhmen.
Një intervistë pune nuk është thjesht një test. Është një shans për të treguar aftësitë, qëndrimin dhe potencialin tënd si profesionist. Mos e lër rastësisë. Përgatitu mirë, bëj kërkim, beso te vetja dhe kujto që çdo intervistë është gjithashtu një mësim drejt suksesit./ CNN