Është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi i Bankës së Shqipërisë që vendos limite në dhënien e kredive me qëllim blerjen e banesave. Në dokument theksohet se ky vendim hyn në fuqi pas 15 ditësh, periudhë që përkon me fillimin e muajit qershor. Ndërkohë që ai do të zbatohet nga bankat për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme rezidenciale që disbursohen nga data 1 korrik 2025. Vendimi përcakton kufij të sipërm për treguesin “raporti i kredisë ndaj vlerës”, që ndryshon në varësi të monedhës në të cilën merret kredia apo nëse është shtëpi e parë apo e dytë.
Më konkretisht, në monedhën lek, raporti i kredisë ndaj vlerës nuk duhet të kapërcejë masën 85 për qind, ndërsa në valutë 75 për qind. Ndërkohë, për blerjen e një shtëpie të dytë dhe vijuese, për monedhën lek raporti duhet të mos kapërcejë vlerën 80 për qind, ndërsa në valutë është 70 për qind.
Po ashtu, vendimi i Bankës së Shipërisë vendos kufij të sipërm për treguesin “raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim”, duke specifikuar se për monedhën lek nuk duhet të kapërcejë vlerën 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë e më tej. Ndërsa, më kredinë në valutë ky raport nuk duhet të kapërcejë vlerën 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për të dytën e më tej.
Megjithatë, vendimi i Bankës së Shipërisë lejon bankat që të zbatojnë kuota përjashtimi nga kufizimet e mësipërme në secilin prej treguesve, me kushtin që, në total, vlera e kredive të përjashtuara të mos kapërcejë 15 për qind të vëllimit të kredive të reja që janë miratuar dhe disbursuar (edhe pjesërisht) gjatë tremujorit.
Në këtë kuotë përjashtimi do të përfshihen lehtësitë e rifinancimit që jepen gjatë tremujorit për kreditë ekzistuese dhe që mund të kapërcejnë kufirin e treguesit. Përjashtim nga rregullat e mësipërme do të përbëjnë kreditë që disbursohen në kuadër të skemave që mbështesin politikat publike të strehimit apo ato që jepen për rinovimet e banesave që lidhen me përmirësimin e efikasitetit të energjisë apo kalimin drejt burimeve të energjisë së rinovueshme.