Kur bëhet fjalë për përgatitjen e burgerave, robotët po e lënë konkurrencën njerëzore shumë pas, mjafton të hedhësh një sy tek restoranti i sapohapur Burgerbots në Silicon Valley të Kalifornisë, ku kuzhinierët automatizuar janë në gjendje të përgatisin burgerat në më pak se 30 sekonda, pa pasur nevojë për pushime, gjumë apo nevoja të tjera.
“Vizioni ynë ishte të sillnim konsistencë, transparencë dhe efikasitet në shërbimin ushqimor,” tha Elizabeth Truong, krijuesja e këtij koncepti inovativ që ndodhet në qytetin modern dhe teknologjik të Los Gatos. “Për pronarët e restoranteve, kjo do të thotë më shumë kontroll mbi kostot, parashikime më të sakta dhe në fund marrje më të mirë e vendimeve.”
I prezantuar në bashkëpunim me ABB Robotics, ky koncept i veçantë përfshin dy robotë që bashkëpunojnë brenda një qelize të posaçme për prodhimin e burgerave, duke e realizuar procesin me një saktësi dhe shpejtësi mbinjerëzore, sipas raportit të Interesting Engineering. Procesi nis me vendosjen e një sasie mishi të freskët në një bukë brenda një kutie, e cila më pas lëviz në një rrip transportues të shënuar me një kod QR.
Ndërsa ushqimi lëviz përgjatë linjës, roboti inteligjent Flexpicker zgjedh përbërësit përfshirë salcën speciale, sallatën, djathin, turshitë dhe qepën — duke u bazuar në të dhënat e kodit QR. Më pas, burgeri kalon tek roboti tjetër, YuMi, i cili i jep dorën e fundit sanduiçit.
Koha totale e nevojshme: vetëm 27 sekonda për një burger pa radhë, pa ankesa dhe pa mungesë buzëqeshjeje. Pavarësisht se kjo teknologji duket si e ardhmja e industrisë, një burger këtu kushton rreth 18 dollarë, çmim që tregon se automatizimi nuk përkthehet domosdoshmërisht në çmime më të ulëta për konsumatorët.
Natyrisht, përdorimi i robotëve në këtë industri ngre pikëpyetje për të ardhmen e punonjësve, sidomos kur sipas të dhënave të Forumin Ekonomik Botëror 2025, automatizimi dhe inteligjenca artificiale mund të çojnë në humbjen e rreth 92 milionë vendeve të punës deri në vitin 2030, ku ndër më të rrezikuarit janë punonjësit e fast-food-eve.
Megjithatë, Burgerbots nuk i ka nxjerrë plotësisht jashtë loje njerëzit. Robotët mbulojnë vetëm përgatitjen e burgerëve, ndërsa shërbimi përfundimtar mbetet në duart e stafit njerëzor. Sipas drejtuesve të kompanisë, robotët janë menduar për të plotësuar dhe lehtësuar punën e stafit ekzistues, jo për t’i zëvendësuar ata.
Madje, sipas një sondazhi të kryer me 1,250 punonjës të industrisë së mikpritjes, 89% e menaxherëve dhe 73% e punonjësve janë të hapur ndaj integrimit të robotëve për të automatizuar disa detyra. “Duke marrë përsipër detyrat e përsëritura dhe që kërkojnë kohë, robotët i japin mundësinë stafit të përqendrohet te ajo që ka më shumë rëndësi krijimi i përvojave të paharrueshme për klientët,” u shpreh Marc Segura, president i ABB Robotics.
Dhe, ndonëse mund të duket si një trend kalimtar i bregut perëndimor, Truong beson se robotët do të bëhen pjesë e zakonshme e restoranteve në të ardhmen. “Brenda pesë viteve të ardhshme, besoj se shumica e restoranteve do të kenë një formë të automatizimit robotik, qoftë në kuzhinë, në përgatitjen e ushqimit apo edhe në shërbimin ndaj klientëve,” tha ajo. “Kjo nuk do të jetë më një risi, por një domosdoshmëri.”/ nyp