Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon 2.5 orë aktivitet të moderuar ose 1.25 orë aktivitet intensiv çdo javë. Çfarë llogaritet si aktivitet i moderuar dhe intensiv? Një rregull i mirë praktik është kontrolli i rrahjeve të zemrës dhe frymëmarrjes. Nëse mund të flisni, por jo të këndoni gjatë kryerjes së aktivitetit (ecje, ecje në natyrë), atëherë ky është një nivel i moderuar i ushtrimeve. Vrapimi dhe sportet konsiderohen si aktivitete intensive.
Duke përdorur të dhënat më të fundit nga një studim i publikuar nga The Lancet Global Health në vitin 2024, platforma Visual Capitalist ka renditur vendet sipas pjesës së popullsisë së tyre, që nuk përmbushin kërkesat minimale të aktivitetit fizik. Në krye të listës, dy të tretat e popullsisë së Emirateve të Bashkuara Arabe nuk përmbushin nivelin minimal të aktivitetit fizik. Vendi ka nivelin më të lartë nga çdo vend në studim. Vendet me përqindjen më të lartë të popullsisë me aktivitet fizik të pamjaftueshëm:
- Emiratet e Bashkuara Arabe – 66%
- Kuvajti – 63%
- Kuba – 61%
- Libani – 59%
- Koreja e Jugut – 58%
- Panama – 58%
- Katari – 54%
- Iraku – 52%
- Portugalia – 52%
- Arabia Saudite – 52%
Lindja e Mesme dhe Azia Perëndimore dhe Jugore janë zona ku rreth gjysma e popullsisë nuk ushtrohet mjaftueshëm. Nga ana tjetër, vendet e Azisë Lindore dhe Juglindore janë pak më mirë kur bëhet fjalë për aktivitetin fizik. Është interesante që Japonia e njohur për jetëgjatësinë teknikisht nuk ushtrohet mjaftueshëm sipas udhëzimeve të specifikuara.
Megjithatë, japonezët janë gjithashtu të njohur për qytetet me hapësira të shumta për të ecur dhe dietën ushqimore të shkëlqyer, të dyja pika në favor të tyre. Ndërkohë, shumica e njerëzve në Europë dhe Afrikë i plotësojnë kërkesat. Duke ndjekur tendencën e përgjithshme në Europë, Shqipëria renditet e 107-ta nga 197 vende të analizuara, me vetëm 24% të popullsisë që nuk ushtrohet mjaftueshëm.
Afrika Subsahariane në veçanti është shumë aktive, por këtu luajnë rol edhe arsyet ekonomike: një pjesë më e madhe e popullsisë në vendet më të varfra shpesh punësohet në bujqësi për mbijetesë ose në punë manuale./VisualCapitalist