Më shumë shqiptarë po dalin jashtë territorit sesa të huaj hyjnë në vend. Është kjo dinamika e re në sektorin e turizmit, që konfirmohet nga të dhënat e Institutit të Statistikave.
Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë të këtij viti, në vendin tonë kanë hyrë 1.6 milionë shtetas të huaj, ndërsa kanë dalë 1.8 milionë shtetas shqiptarë. Kjo do të thotë se bilanci i lëvizjeve është negativ, me mbi 257 mijë persona më shumë që kanë dalë nga vendi sesa kanë hyrë.
Vetëm për muajin mars, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri ishte 549 mijë, duke shënuar një rënie me 2.7% krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Ndërkohë, 621,777 shqiptarë janë regjistruar si larguar nga vendi, një rritje me 2.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Pra, në tre muaj, Shqipëria ka “humbur” mbi 257 mijë persona më shumë sesa ka “fituar”, nëse flasim edhe në aspektin e shpenzimeve që sjellin turistët.
Pavarësisht se në tre muaj numri i të huajve që kanë hyrë në vendin tonë është rritur me 5.9% të dhënat tregojnë se muaji Mars e ka ngadalësuar ndjeshëm këtë shifër. Këto shifra përforcojnë edhe trendin e emigracionit, në një kohë kur edhe hyrjet e të huajve, kryesisht turistë dhe vizitorë, kanë filluar të ngadalësohen.
Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe shumë shqiptarë po pushojnë jashtë vendit gjithmonë e më shumë. Muajt e fundit duket sikur kjo shifër po shtrihet përgjatë gjithë vitit.
Nëse analizojmë hyrjet dhe daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj sipas mënyrës të udhëtimit, shohim se rrugët tokësore janë të preferuarat, pasuar nga udhëtimet përmes rrugëve ajrore.