Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) kanë nënshkruar një marrëveshje financimi për zbatimin e “Programit të Investimeve Shpërndarja e Energjisë Elektrike I”, që parashikon ndërhyrjen në 42 nënstacione elektrike. Ky projekt, që ka në fokus zgjerimin dhe përmirësimin e sistemeve elektrike në Tiranë dhe Durrës, kërkon marrjen e tokës, ndaj OSHEE ka hartuar dhe publikuar planin që do ndiqet për zhvendosjen dhe kompensimin e pronarëve
Sipas këtij dikasteri, dokumenti është përgatitur në përputhje me standardet ndërkombëtare, veçanërisht kërkesat ligjore dhe procedurale për shpronësimin në Shqipëri dhe Udhëzimet e Qëndrueshmërisë 2022 të KfW-së. Për këtë arsye, përveç kostos së shpronësimit që parashikohet sipas legjislacionit shqiptar është përllogaritur edhe kosto shtesë për të përmbushur standardin ndërkombëtar.
Referuar dokumentit, në programin e investimeve të OSHEE, është planifikuar ndërtimi dhe funksionimi i një nënstacioni të ri në Kamëz me rrugë aksesi që kërkon marrjen e përhershme të 3,860 m2 tokë, si dhe rehabilitimi i 41 nënstacioneve shpërndarëse, për të cilët do të shpronësohet 1,024 m2 tokë. Kosto totale për shpronësimet është përllogaritur në rreth 95 200 euro. Ndërkohë që, nëse do ishin zbatuar vetëm dispozitat e legjislacionin vendas, kosto do të ishte rreth 18 600 euro.
Sipas OSHEE-së, ky kuadër i Politikës të Risistemimit qartëson parimet dhe të drejtat e zhvendosjes sipas standardeve ndërkombëtare.