Kjo javë ka nisur jo mirë për valutat. Në tregun e këmbimit, monedha e huaja kanë humbur pikë kundrejt lekut. Sipas agjencive të këmbimit, (Banka e Shqipërisë nuk e publikon sot kursin zyrtar, për shkak të ditës pushim) euro blihet me 98.4 lekë dhe shitet me 99.2 lekë. Ndërsa dollari këmbehet me 85.4 lekë në blerje dhe me 87 lekë në shitje. Në rënie janë edhe monedhat e tjera, si paundi britanik dhe franga zvicerane.
Javët e fundit, kursi i këmbimit ka pasur luhatje të ndjeshme, të shkaktuara kryesisht nga situata në arenën ndrëkombëtare. Lufta tregtare e presidentit amerikan Trump, nëpërmjet vendosjes së tarifave ndaj vendeve partnere shkaktoi rënien e dollarit dhe forcimin e euros.
Një ecuri e tillë u reflektua edhe në tregun tonë të këmbimit, ndonëse forcimi I euros nuk është ndjerë shumë. Kjo për shkak të ndikimit që po jep fushata zgjedhore, që shoqërohet me shtim të shpenzimeve dhe rrjedhimisht, të lekut në qarkullim.