“Me të thënë të drejtën, këtu lekë kanë ardhur boll, por laboratorët nuk punojnë. Dosja fiktive është, po aparaturat ku janë?”
Janë të paktën 10 procedura tenderuese në Universitetin Bujqësor të Tiranës në të cilat Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka gjetur shkelje. Ndër to është Ferma Didaktike Eksperimentale e financuar nga Buxheti i Shtetit me vlerë 1 milionë euro në kuadër të “Paktit për Universitetin”.
“Fondi 1 milionë euro për fermën i hap rrugë një procesi afatgjatë mbështetjeje për krijimin e infrastrukturës didaktike trajnuese dhe demonstruese dhe për zhvillimin në terrenin e praktikës reale të mësimit, të lidhur me ekonominë dhe me tregun”, deklaronte më 15 mars 2019, kryeministri Edi Rama.
Një pjesë e stafit akademik dhe administrativ të “Bujqësorit” akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion për Laboratorin e Sigurisë Ushqimore dhe Shëndetit të Kafshëve. Projekti u financuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit që lëvroi rreth 275 mijë euro, por laboratori u nderta pjesërisht e nuk u vu kurrë në funksion.
“Nuk ka as reagentë e as epruveta e asgjë. Korrupsion i madh. Kanë ardhur shumë lekë në emër të UBT, por ne nuk kemi as letra e as kondicionerë”, tha pedagogu i UBT, Lush Suasaj.
Edhe më flagrante është akuza mbi Laboratorin e Agronomisë. Investimi me vlerë rreth 1 milionë euro u financua nga projekti IPA i Bashkimit Europian, por u tenderua duke falsifikuar dokumentet sikur të ishte ndërtuar me paratë e Universitetit Bujqësor.
Në fillim të tetorit të vitit 2023, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit sekuestruan dokumente fizike dhe “online” të personelit akademik dhe drejtues të Universitetit Bujqësor të Tiranës pas dyshimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre./ A2 CNN