Ndërmarjet mikro, ato të vogla dhe të mesme do të mbështeten me grante këtë vit nga qeveria shqiptare. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve hapi thirrjen për mbështetjen e tyre, me fokus zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin, rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e artizanatit, si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse, me qëllim nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të tyre lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm.
Projekt-propozimet e paraqitura duhet t’i përmbahen kritereve dhe kushteve të veçanta të përfitimit për NMVM për vitin 2025. Gjithashtu, kjo thirrje synon mbështetjen e këtyre bizneseve që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda territorit të vendit. AIDA administron fondin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve”, i cili financohet nga buxheti i shtetit.
Fondi për vitin 2025 do të mbështesë ndërmarrjet përmes dy skemave kryesore. Skema e parë, ku parashikohet t’u ofrohet mbështetje financiare për shpenzime korrente, duke ofruar financim deri në 2.500.000 lekë. Gjithashtu, do të mbulohen edhe 100% të kostove për certifikim të standardeve të prodhimit dhe trajnime të stafit të ndërmarrjes.
Ndërkohë, skema e dytë mbështet shpenzimet kapitale dhe përfshin dy drejtime kryesore. Drejtimi i parë përfshin projekte që synojnë konkurrueshmërinë, ku vlera e financimit shkon deri në 1,500,000 lekë dhe do të mbulohet 100% e kostove, për blerjen e makinerive që ndikojnë në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produktit.
Ndërsa, drejtimi i dytë përfshin projekte për artizanatin, ku vlera e financimit shkon deri në 1.000,000 lekë dhe kostot do të mbulohen për blerjen e makinerive për të përmirësuar kushtet e punës për biznesin, si dhe për blerjen e aplikacioneve ose programeve të e-commerce.
Gjithashtu përcakohet, se nuk përfitojnë nga ky fond ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të cilat kanë përftituar burime financimi nga donatorë apo institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare për të njëjtat zëra apo aktivitete të lejuara nga këto projekte. Sipas njoftimit, thirrja për projekt-propozime do të qëndrojë e hapur deri më datën 28 shkurt 2025, ora 14:00.