Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Rreth një vit e gjysmë më parë, parlamenti miratoi ligjin që lejonte kanabisin mjekësor në Shqipëri. Një draft që hasi në skepticizëm dhe kundërshtime edhe brenda kampit socialist.
Që prej 2023-it, kur ligji hyri në fuqi, ka pasur zhvilime, ndonëse të ngadalta. Pak ditë më parë, qeveria miratoi edhe kriteret për zonat dhe parcelat, ku do të kultivohet kanabisi mjekësor. Të tjera akte nënligjore pritet të miratohen nga qeveria përpara se të nisë licencimi I kompanive që do të merren me kultivimin e kanabisit mjekësor.
Në rajonin e Ballkanit, ky aktivitet është i lejuar në Maqedoninë e Veriut, që prej vitit 2016 dhe që prej korrikut të vitit 2023, edhe në Shqipëri. Ndërsa është i ndaluar në Serbi, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë.
Harta e vendeve që e lejojnë kanabisin mjekësor dhe jo vetëm, edhe atë për qëllime rekreativ është më e zgjeruar në Europë.
Në kontinentin tonë, janë 22 vende që lejojnë kanabisin mjekësor dhe 3 vende kanabisin rekreativ. Ndërsa 11 shtete e kanë të ndaluar kanabisin rekreativ.
Legalizimi i kanabisit siguron fitime maramendëse, vecanërisht në vendet me kërkesë të lartë.
Tregu europian i kanabisit të ligjshëm është vlerësuar në vitin 2022 në 354 milionë euro, teksa ka kapërcyer në 516 milionë euro një vit më pas. Parashikimet janë që deri në vitin 2027, vlera e këtij tregu të arrijë në 2.1 miliardë euro. Ndërsa vlera e tregut botëror të kanabisit të ligjshëm të prekë shifrën e 50 miliardë eurove pas dy vjetësh.