Rritja që qeveria u bëri pagave në sektorin publik nuk e ka tërhequr edhe biznesin. Pagat në sektorin privat jo vetëm që nuk janë rritur, por përkundrazi, kanë pësuar rënie. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, paga mesatare bruto në shtet arriti në tremujorin e tretë të këtij viti në 96.856 lekë, duke shënuar një rritje prej 10.955 lekë kundrejt tremujorit të mëparshëm. ndërkohë që paga mesatare bruto në sektorin privat arriti në 69.534 lekë, me rënie 896 lekë kundrejt tremujorit të kaluar.
Një ecuri e tillë shpjegohet me dy arsye: nivelin e lartë të informalitetit të pagave në tregun e punës, ku në shumë industri dhe kompani një pjesë e pagës deklarohet dhe pjesa tjetër jepet nën dorë; ndërkohë që arsyeja e dytë lidhet me vështirësitë që po kalon një pjesë e sipërmarjes, ku përballë kostove të shtuara është detyruar të shkurtojë edhe nivelin e pagave.
Pagat sipas profeisoneve
INSTAT raporton se gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2024 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin “Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale”, ka rritjen më të madhe prej 14,5 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti “Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi” prej 3,8 %.
Gjatë tremujorit të tretë 2024, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.