Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të Eurostat-it, Mariana Kotzeva, e cila ndodhet për një vizitë në Shqipëri. Në fokus të diskutimeve ishte përafrimi i statistikave zyrtare shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian dhe përgatitjet për integrimin në Sistemin Statistikor Evropian.
Në takim morën pjesë edhe Drejtoresha e INSTAT-it, Lantona Sado, si dhe Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, së bashku me përfaqësues të të dyja institucioneve. Gjatë bisedës, Sejko vlerësoi mbështetjen e Eurostat-it në përmirësimin e metodologjive dhe praktikave statistikore të Bankës së Shqipërisë, në përputhje me standardet evropiane. Ai theksoi se prodhimi i statistikave monetare, financiare dhe të sektorit të jashtëm është pjesë e mandatit ligjor të bankës qendrore.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutimit ishte përputhshmëria e statistikave shqiptare me kërkesat e institucioneve evropiane. Drejtoresha e Eurostat-it, Mariana Kotzeva, vlerësoi në veçanti nivelin e lartë të përputhshmërisë së statistikave të bilancit të pagesave, pozicionit të investimeve ndërkombëtare dhe investimeve të huaja direkte.
Ndërkohë, Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, në kuadër të Kapitullit 18 “Statistikat”, evidenton përmirësimin e koordinimit në Sistemin Kombëtar Statistikor, pas nënshkrimit të memorandumit të ri të mirëkuptimit mes INSTAT-it dhe Bankës së Shqipërisë, si dhe marrëveshjes trepalëshe me Ministrinë e Financave. Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të vijuar procesin e përafrimit të statistikave me standardet e Bashkimit Evropian, si pjesë e përgatitjeve për integrimin evropian.







