Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli ka akuzuar Ministrinë e Bujqësisë se ka emëruar në krye të Autoritetit Veterinar një drejtor pa diplomë në veterinari, duke shkelur ligjin dhe vendosur në rrezik shëndetin publik.
Sipas Resulit, AKVMB-ja është zhytur në kaos, ndërsa vendimi i fundit shkel kriteret profesionale, duke rrezikuar sigurinë ushqimore dhe duke diskriminuar profesionin e mjekut veterinar.
“Vendimi i fundit i Ministres së Bujqësisë për të emëruar një teknolog ushqimor si Drejtor të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) përbën një shkelje të hapur të VKM-së Nr. 683, datë 2.9.2020. Pika 6 e këtij vendimi, nën seksionin III, specifikon qartë se drejtuesi i këtij autoriteti duhet të ketë arsim të lartë dhe të jetë i diplomuar në mjekësi veterinare, për të garantuar që shëndeti i kafshëve dhe siguria publike të jenë në duart e një eksperti të fushës veterinare”, shkruan ai në një reagim në rrjetin social Facebook.
Resuli shton më tej se kemi të bëjmë me një situatë skandaloze, që sipas tij tregon për një qasje të qëllimshme nga ana e Ministrisë për të anashkaluar kriteret profesionale dhe për të ndikuar me klientelizëm në pozicione kyçe.
“Ne në Shqipëri vuajmë nga eksperimentet alla-shqiptarçe. Ne në 2020 krijojmë një institucion që quhet Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe në 2024, para disa ditësh u bënë ndryshimet ligjore që ky Autoritet u shkri përsëri. Puna veterinare është e mbivendosur, ose ndërhyrje mbi kompetenca, ku një veteriner shtetëror kryen proces veterinar në sektorin privat, pra konflikt i hapur i interesit. Sot po e them pak në gjuhë popullore shërbimin veterinar e drejton një kuzhinier. Pra sot Drejtori i Autoriteti Kombëtar të Veterinarisë është me diplomë Bioteknologji Ushqimore, e thënë në gjuhë popullore është një kuzhinier, një teknolog ushqimor. Ndërkohë, VKM-ja për ngritjen dhe funksionimin e këtij institucioni e thotë qartë që duhet të jetë me diplomë në Mjekësinë Veterinare. Pra ne kemi shkelje haptazi të ;ligjeve dhe arrijmë në këto pikat e alarmit ku rrezikojmë shëndetin e konsumatorëve”, tha Resuli./ A2 CNN.