Çështja e pensioneve ka mbërthyer debatin publik në vend, duke ngritur shqetësimet mbi situatën e pensionistëve në vend. Së fundmi deputetja Jorida Tabaku ka kritikuar ashpër qeverinë, duke e akuzuar për dështimin e saj në përmirësimin e kushteve të jetesës për këtë grup vulnerabël të shoqërisë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, deputetja Jorida Tabaku, tha se skema e pensioneve nuk ka qenë efektive, ndërsa numri i e pensionistëve në vend është rritur.
“Më në fund pensionet janë bërë çështje dite nga nevoja që ka qeveria për të justifikuar që nuk i ka rritur pensionet dot, megjithëse shpenzimet vazhdojnë të rriten në të gjitha format. Pensionistët po ndjejnë efektet e reformës së dështuar të vitit 2015. Numri i pensionistëve ka arritur në 30% dhe skema e pensioneve nuk ka qenë efektive. Rënia e forcës së aktive punës ku 40% është larguar e ka vendosur bazamentin e skemës së pensioneve në një pikëpyetje shumë të madhe. Rritja e çmimeve nuk është shoqëruar me rritje pensionesh, por ka pasur një indeksim minimal që e ka bërë të pamundur që të mbijetojnë”.
Përpjekjet e qeverisë për t’u takuar me pensionistët gjatë javës së fundit, Tabaku i cilësoi si “propagandë të zbrazët,” që sipas saj, nuk mbulon realitetin e vështirësive me të cilat përballen të moshuarit. Ajo kritikoi shpenzimet e qeverisë për projekte luksoze dhe kontrata publike-private, ndërsa fondet për pensionet mbeten minimaliste dhe të pamjaftueshme për një jetë me dinjitet.
Sipas deputetes demokrate, 22% e pensionistëve shqiptarë janë në rrezik të skajshëm varfërie—një tregues i qartë, sipas saj, i dështimit të reformës së vitit 2015 për pensionet.
Tabaku bëri thirrje për një reformë të vërtetë të sistemit të pensioneve, që të vendosë interesat e qytetarëve në plan të parë, të ndalojë korrupsionin dhe të krijojë një sistem të qëndrueshëm e të drejtë.
“Pensionistët meritojnë më shumë se sa fjalë të bukura dhe premtime boshe, ata meritojnë një jetë të denjë dhe respekt për kontributin e tyre të çmuar në ndërtimin e vendit”, përfundoi mesazhin Tabaku.