Nga 1 tetori, pensionet do të indeksohen me 4.1%, sipas vendimit të një dite më parë të qeverisë. Por sa para do të marrin ata më shumë?
Pensionistët në qytet do të marrin mesatarisht 748 lekë më tepër, ndërsa ata në fshat vetëm 453 lekë më shumë.
Nga 18 234 lekë aktualisht, ajo që merr çdo muaj një i moshuar që jeton në qytet do të bëhet 18 982 lekë. Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka vendosur që pensionet të indeksohen në masën 4.1%. Nga rritja do të përfitojnë rreth 770 pensionistë.
Ndërkohë, pagesa mujore mesatare që merr një i moshuar në fshat, pas indeksimit me 4.1% do të bëhet 11 504 lekë nga 11 051 lekë që aktualisht është.
Rreth 400 lekë më tepër do të marrin edhe përfituesit e pensionit të invaliditetit në zonat urbane, ndërsa ata që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 550 lekë më tepër.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave pohojnë se inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët nga tetori i vitit të shkuar deri më tani ka rezultuar 4.1% dhe për pasojë indeksimi do të jetë në të njëjtën masë.
Ndërsa vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% aq sa ishte Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët.