Analizë nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Kryeministri ka paralajmëruar një rritje të pensioneve dhe ndërhyrje në skemën, tashmë deficitare prej shumë vitesh. Një premtim që vjen përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, por që gjithsesi konsiderohet një lajm i mirë, duke pasur parasysh se pensionet në Shqipëri janë më të ulëtat në rajon.
Por sa marrin sot pensionistët shqiptarë?
Pensioni mesatar përllogaritet në 15.600 lekë.Por një pjesë e pensionistëve marrin shumë më pak se kaq. Bëhet fjalë për të moshuarit e zonave rurale. Sipas ISSH-së, pensioni në fshat është vetëm 10,888 lekë dhe ai në qytet 18,615 lekë.
Për të kuptuar realisht sesa pak pension marrin të moshuarit në Shqipëri, le të bëjmë krahasimin me pagat.
Pensioni mesatar në vend përllogaritet në 15,600 lekë. Ky nivel është sa 39% e pagës minimale dhe 20.7% e pagës mesatare.
Emigrimi masiv dhe i pandalshëm gjatë dekadave të fundit, ulja e numrit të lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë së të moshuarve, janë faktorët kryesorë që ndikojnë te gremisja graduale e skemës së pensioneve në Shqipëri. Numri i kontribuesve ka ardhur në rënie vitet e fundit, ndërsa numri i përfituesve, thënë ndryshe pensionistëve është rritur.
Aktualisht, kontribuojnë në skemën e pensioneve rreth 826 mijë persona, ndërsa përfitojnë 705 mijë pensionistë. Këto shifra tregojnë qartë për vështirësitë, në të cilat ndodhet skema e pensioneve në Shqipëri.
Raporti kontribuues/përfitues në skemën e pensioneve, një tregues i rëndësishëm që tregon për shëndetin financiar të saj, ka arritur në 1.17. Kjo do të thotë se për çdo përfitues nga skema e pensioneve ka 1.7 kontribues. Kjo normë tregon që ky ekuilibër i brishtë po ulet me shpejtësi drejt raportit 1 me 1, ku numri i kontribuesve barazohet me atë të përfituesve.