Rezidentët apo edhe ata që kanë abonime mujore fikse për parkim në hapësirat publike do të mund të kryejnë procedurat online.
Tirana Parking synon që të ngrejë një sistem të ri që synon të korrigjojë problemet që hasen sot në disa raste me parkimet ku policia bashkiake duhet të aksesojë dy databaza.
Një procedurë me objekt “Dixhitalizimi i dhënies së shërbimit të parkimit me abonime, shërbimit të rezidentit dhe shërbimit taxi me anë të platformës Tirana Parking” synon pikërisht ngritjen e një palftorme më të thjeshtë.
“Projekti synon të dixhitalizojë shërbimet e parkimit në qytetin e Tiranës, duke përfshirë shërbimet për rezidentët, shërbimet për subjektet “taksi”, shërbimet e abonimit për personat fizikë/juridikë për përdorimin e vendparkimi të rezervuar me pagesë si dhe në sheshparkimet e mbyllura dhe përmirësimin e sistemit të formave të pagesës për parkimet publike me pagesë në administrim të Institucionit” thuhet në dokument.
Sipas dokumenteve janë të paktën katër komponentë kryesore të projektit.
Së pari, dixhitalizimi i abonimeve të parkimit do të përfshijë krijimin e një ndërfaqeje elektronike për menaxhimin e abonimeve, duke mundësuar regjistrimin dhe rinovimin e tyre online. Kjo ndërfaqe do të integrohet në platformën e Tirana Parking për të siguruar verifikimin dhe konfirmimin e të dhënave.
Së dyti, shërbimi i rezidentit do të ofrojë një ndërfaqe e cila lejon rezidentët të aplikojnë për kartën e rezidentit, që i jep të drejtën qytetarit të parkojë automjetin e tij pa pagesë në hapësirat publike brenda zonës së parkimit që i përket, si dhe të menaxhojnë të drejtat e tyre të parkimit. Procesi i aprovimit dhe rinovimit të kartës së rezidentit do të automatizohet.
Së treti, për përdoruesit taksi do të krijohet një modul specifik për menaxhimin e tarifave dhe monitorimin e vendqëndrimeve të subjekteve “Taksi”, duke integruar shërbimet e taksive me platformë Tirana Parking.
Së katërti, përmirësimi i përvojës për të gjithë përdoruesit e parkimit publik me pagesë, rezidentët, përdoruesit taxi, pasi do t’u ofrohet mundësia të menaxhojnë shërbimet e parkimit në mënyrë të thjeshtë dhe efikase përmes një platforme të vetme të integruar.
Së pesti, do të lehtësohet mënyra e aplikimit për vendparkim të rezervuar në rrugë, duke i vendosur në dispozicion aplikantëve formë për të kryer aplikimin online dhe për të ngarkuar dokumentacionin përkatës si dhe të njoftohen për statusin e aplikimit të tyre./Monitor