Volumet e tregtimit në tregun valutor vendas u rritën ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit.
Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore e vëllimeve të tregtimit u përshpejtua në 30% në tremujorin e dytë, nga 16% që ishte në tremujorin e parë të vitit dhe 11.5% vitin që kaloi.
Rritja e volumeve të tregtimit nënkupton kryesisht një rritje të flukseve valutore hyrëse në ekonominë shqiptare. Besohet se këto prurje janë të lidhura kryesisht me turizmin dhe investimet në tregun e pasurive të paluajtshme nga individë të huaj ose shqiptarë jorezidentë në Shqipëri.
Kursi i këmbimit është mbiçmuar në tremujorin e dytë të vitit, pas ecurisë së qëndrueshme të shfaqur në tremujorin e parë. Kursi euro/lek rezultoi mesatarisht 101.5 në muajin prill dhe 100.4 në muajt maj e qershor, nga 104.0 që ishte në dy tremujorët paraardhës.
Gjatë muajit korrik, ai është shfaqur i qëndrueshëm pranë mesatares së dy muajve të mëparshëm. Banka e Shqipërisë vëren se krahasuar me një vit më parë, shpejtësia dhe masa e mbiçmimit të vërejtur deri tani gjatë këtij viti janë ndjeshëm më të ulëta. Për pasojë, mbiçmimi vjetor i kursit euro/lek është zvogëluar në tremujorin e dytë, duke zbritur në 6.4% në qershor e më tej në 2.8% në muajin korrik, nga 9.4% që ishte në fund të tremujorit të parë të vitit.
Megjithatë, frenimi i mbiçmimit të lekut tremujorin e dytë dhe fillimin e tremujorit të tretë i detyrohet në një masë të madhe ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, që ka kryer rregullisht blerje të valutës për të mos lejuar forcimin e mëtejshëm të monedhës vendase.
Objektivi i Bankës së Shqipërisë ka qenë mbajtja e kursit sipër kufirit psikologjik të 100 lekëve. Megjithatë, edhe ky kufi u thye gjatë muajit gusht, sapo banka qednrore e liroi kontrollin mbi kursin e këmbimit.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të premten euro u këmbye me 99.81 lekë, ndërsa të enjten pati arritur nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, me 99.79 lekë.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, Banka e Shqipërisë është tërhequr nga ndërhyrjet në tregun valutor këtë muaj dhe kjo ka bërë që euro të bjerë gradualisht poshtë kufirit të 100 lekëve.
Në harkun e pesë viteve të fundit, kursi i këmbimit të euros me lekun ka rënë me afërsisht 18%. Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo rënie i detyrohet kryesisht rritjes së shpejtë të sektorit të turizmit dhe rritjes së investimeve të huaja, veçanërisht në pasuri të paluajtshme.
Forcimi i lekut e ndihmoi ekonominë shqiptare të përballonte me pasoja më të zbutura valën inflacioniste të vitit 2022. Gjithashtu, forcimi i lekut në përgjithësi vlerësohet të ketë luajtur një rol pozitiv në stabilitetin financiar, duke rritur aftësinë paguese të huamarrësve në euro, me të ardhura në lekë. Por, nga ana tjetër, leku më i fortë ka dhënë efekte të dukshme negative në sektorët eksportues të ekonomisë./Monitor