Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pritet të përfitojnë 338 milionë euro shtesë nga Bashkimi Evropian gjatë javëve në vijim, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Lajmi u bë i ditur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor. Von der Leyen vlerësoi ecurinë e vendeve të rajonit në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar zgjerimin si një domosdoshmëri strategjike për Evropën.
“Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës”, deklaroi ajo.
Sipas Presidentes së Komisionit Evropian, zbatimi i reformave në kuadër të Planit të Rritjes është përshpejtuar ndjeshëm, ndërsa niveli i përmbushjes së hapave të përcaktuar nga vendet e rajonit është rritur nga 38% në 63% brenda një viti. Duke folur për përfitimet konkrete të integrimit gradual, Von der Leyen përmendi përfshirjen e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që mundëson transferta ndërkufitare më të shpejta dhe me kosto më të ulët.
Një tjetër hap drejt afrimit me tregun evropian është edhe nisja e negociatave me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për përfshirjen në sistemin evropian të roaming-ut pa tarifa shtesë. Ndërkohë, në fillim të vitit të ardhshëm, Bashkimi Evropian pritet të nisë dialogun për integrimin gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor, me synimin për të zgjeruar pjesëmarrjen e tyre në tregun e përbashkët evropian. Von der Leyen theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, rritjes së tregtisë, njohjes së kualifikimeve profesionale dhe lehtësimit të transportit të mallrave përmes korridoreve të gjelbra.







