Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tregon se para Opozitës janë disa sfida të mëdha, por se ajo bashkë me të gjithë Opozitën e bashkuar janë të gatshëm për t’ju shkuar atyre deri në fund.
Në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi tregon se ky është një moment delikat për vendin dhe të gjithë nuk duhet të stepen për të bërë të mundur një Shqipëri më të mirë.
“Falënderoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij ndryshimi!
Shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme, një Shqipëri ku të gjithë janë të barabartë para drejtësisë, me mundësi të barabarta për punësim, mirëqenie, shëndetësi, arsim dhe ku dinjiteti njerëzor nuk nëpërkëmbet.
Ky është momenti për t’i dhënë Shqipërisë një shtet me institucione të forta dhe sistem që nuk çimenton kontrollin e individit mbi shtetin por garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin.
Pazaret në kurriz të shqiptarëve për karriget e politikës kanë marrë fund.
Ne jemi së bashku në këtë betejë si qytetarë të barabartë që duan më shumë Shqipërinë se sa partinë. Rruga jonë është e mbushur me sfida dhe ne jemi të gatshëm t’i përballojmë.
Sepse për ne Shqipëria është e para, shqiptarët janë të parët.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!”- shkruan Monika Kryemadhi.