Java Globale e Sipërmarrjes do të zhvillohet në Shqipëri nga data 16 deri më 22 nëntor, në kuadër të edicionit të katërt të GEW Albania 2026. Nën sloganin “Ndërto nga Shqipëria”, aktiviteti organizohet nga Startup Albania, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, në rolin e organizatorit zyrtar të kësaj nisme në vend. Programi i këtij viti do të përfshijë rreth 40 aktivitete në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë, me synimin për të nxitur sipërmarrjen, inovacionin, bashkëpunimin dhe tërheqjen e investimeve. Aktivitetet do të shërbejnë gjithashtu si një mundësi për të lidhur ekosistemin shqiptar të biznesit me zhvillimet dhe mundësitë në tregjet ndërkombëtare. GEW është një lëvizje globale që zhvillohet në mbi 200 vende të botës, përmes mijëra aktiviteteve që synojnë të mbështesin sipërmarrësit dhe të krijojnë mundësi të reja ekonomike. Edicioni i vitit 2026 zhvillohet nën temën ndërkombëtare “Entrepreneurs Thrive Here”, duke vënë në fokus rëndësinë e krijimit të një mjedisi që mbështet zhvillimin e bizneseve dhe ideve inovative.
Programi në Shqipëri mbështetet në katër shtylla kryesore, politikat për një mjedis më mbështetës ndaj sipërmarrjes, zhvillimi i ekosistemit përmes bashkëpunimit dhe investimeve, gjithëpërfshirja rajonale dhe edukimi përmes njohurive dhe aftësive të reja. Në fokus të aktiviteteve do të jenë inteligjenca artificiale, transformimi digjital i sektorit publik, investimet, siguria e informacionit, mbrojtja e të dhënave dhe rritja e qëndrueshme e startup-eve. Vëmendje do t’u kushtohet gjithashtu sektorëve të shëndetësisë, energjisë së gjelbër, ndërtimit dhe zhvillimit urban. Aktivitetet kryesore të parashikuara janë konferenca rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”, lançimi i platformës digjitale “Akademia e Sipërmarrjes” nga Startup Albania, aktiviteti “IA dhe inovacioni në sektorin publik”, si dhe konkursi për të rinjtë “Sprint2Pilot”, i fokusuar në inteligjencën artificiale.
Përmes konferencave, trajnimeve, workshop-eve dhe takimeve me ekspertë ndërkombëtarë e investitorë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen me alternativa financimi, të zhvillojnë aftësi të reja dhe të krijojnë kontakte të rëndësishme për zgjerimin e aktivitetit të tyre.






