Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Turizmi është shndërruar në sektorin kryesor të ekonomisë. Turistët e huaj kanë nisur të vërshojnë që në janar, duke paralajmëruar për një turizëm gjithëvjetor.
Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, të ardhurat nga turistët e huaj arritën në 788 milionë euro, me rritje 20.8% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Por teksa të huajt vijnë në Shqipëri për të pushuar, shqiptarët ikin jashtë vendit.
Ata kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre 521 milionë euro vetëm në tremujorin e parë të këtij viti ose rreth 17% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Por pavarësisht këtyre flukseve valutore që kanë dalë jashtë vendit, bilanci i turizmit rezultoi pozitiv.
Ekonomisë sonë i mbetën 267 milionë euro neto nga turizmi në tremujorin e parë të këtij viti, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë. Kundrejt një viti më parë, konstatohet një rritje prej 28.2%.
Por le ta shohim shifrën e fitimit të ndërlidhur edhe me tregues të tjerë për të kuptuar edhe më shumë se çfarë po ndodh sot me turizmin në Shqipëri.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në 4 muajt e parë të këtij viti, ka pasur një boom turistësh të huaj, me një shifër që kapërceu 2.3 milionë. Bëhet fjalë për rreth 700 mijë turistë më shumë se në tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Por turistët që kanë ardhur kanë shpenzuar më pak se një vit më parë.
Sipas të dhënave, shpenzimet mesatare të turistëve të huaj kanë qenë 513 euro ose 70 euro më pak se ato të tremujorit të parë të vitit të kaluar.
Kjo do të thotë se turizmi shqiptar ka sasi dhe pak cilësi. Thënë ndryshe, boom turistësh të varfër./A2 CNN