Të huaj që vijnë për pushime dhe shqiptarë që ikin jashtë për të pushuar. Është kjo dukuria që ndodh dje më pas reflektohet edhe në lëvizjen e flukseve valutore. Por në finale, ekonomisë së vendit i ka mbetur një shumë prej 267 milionë euro neto nga turizmi në tremujorin e parë të këtij viti. të dhënat janë të Bankës së Shqipërisë, e cila konstaton se ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të hyrat neto nga turizmi në vend janë rritur me 41%.
Të dhënat e detajuara tregojnë se turistët e huaj kanë shpenzuar në Shqipëri 788 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti, me një rritje prej 28% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por ndërsa të huajt po dynden në Shqipëri, shqiptarët vetë po ikin jashtë të nxitur dhe nga linjat ajrore me kosto të ulët. Sipas BSH-së, shpenzimet e shqiptarëve jashtë në tre muajt e parë të vitit ishin 521 milionë euro, me një rritje prej 20% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.