Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive per Biznesin ne A2 CNN
Boom-i turistik që po përjeton Shqipëria dhe një anë tjetër: atë të shtrenjtimit të jetesës për vendasit, duke filluar nga ushqimet e çdo produkt dhe shërbim tjetër, përfshi qiratë dhe shitblerjen e pronave.
Por sa turistë e kanë vizituar Shqipërinë?
Numri i tyre ka qenë në rritje. Vitin e kaluar e vizituan vendin tonë 10.1 milionë turistë, ndërkohë që fluksi ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti. Qeveria ka parashikuar për këtë vit, një fluks turistësh të huaj që do të arrijë në rreth 14 milionë.
Por turizmi masiv ka dhe pasoja negative, me të cilat po përballen të gjitha vendet që kanë pasur një turizëm ë tillë, si Spanja apo Greqia. Ana tjetër e këtij lloj turizmi rëndon te vendasit. Ata përballen me rritje të çmimeve të ushqimeve dhe shtrenjtim të të gjitha produkteve dhe shërbimeve të tjera. Rrjedhimisht edhe pushimet në vend bëhen të papërballueshme dhe një pjesë e tyre duhet të ikin jashtë vendit, në kërkim të destinacioneve më të lira. Rritje kanë pësuar edhe qiratë, si dhe shitblerja e pronave, kryesisht në zonat bregdetare.
Por si shpjegohet ndikimi i turistëve në tregun e pasurive të patundshme?
Të dhënat e INSTAT tregojnë se rreth 85% e shtetasve të huaj që vijnë në vend nuk qëndrojnë në strukturat zyrtare të akomodimit. Për shembull, në maj hynë në Shqipëri 705 mijë shtetas të huaj, nga të cilët vetëm 109 mijë ose 15% qëndruan në strukturat akomoduese. Pjesa tjetër qëndrojnë në shtëpi me qira, që i marrin nëpërmjet platformave Booking apo Airbnb, apo të tjerë mund të jenë emigrantë që rrinë tek të afërmit, apo në shtëpitë që kanë vetë në pronësi.
Të nxitur nga numri i madh i turistëve, shumë qytetarë po i listojnë banesat në platformat Airbnb apo Booking me qira ditore, në përpjekje të fitimeve të shpejta dhe të thjeshta.
Sipas të dhënave, numri i apartamenteve dhe shtëpive të listuara në platformën Airbnb arriti në 167 mijë në vitin 2023. Kundrejt një viti më parë numri i tyre u rrit me mbi 60 mijë ose 36%. Por zhvillimi i sektorit të qirasë afatshkurtër, i nxitur nga lulëzimi i turizmit, po dëmton sektorin e strehimit vendas në apartamentet me qira afatgjatë. Çmimet janë rritur duke u bërë të papërballueshme për disa kategori, siç janë studentët apo familjet e reja.
Sipas të dhënave nga Shoqata e Agjencive Imobiliare NARREA, në vitin e fundit, qiratë u rritën me rreth 35%. Ndërkohë, çmimet e banesave në kryeqytet kanë pësuar një rritje 7% për apartamentet ekzistuese dhe 15% për banesat apo pallatet e reja.
Rritja ka qenë më e ndjeshme në zonat bregdetare nga 30 deri në 40%, e nxitur nga blerjet e shtetasve te huaj. Ndaj pasojave negative që turizmi masiv ka tek vendasit ka pasur protesta në Spanjë. Ndjekim materialin dhe rikthehemi./A2 CNN