Brenda muajit qershor do të unifikohen pagat e punonjësve në të gjitha bashkitë e vendit. Ministri për pushtetin vendor Arbjan Mazniku tregon për A2 CNN se dikasteri i tij tashmë ka përfunduar mënyrën e llogaritjes se pagave në nivel lokal.
Sipas strukturës së re që do ti propozohet, Ministrisë se Financave synohet që për të njëjtin pozicion pune, pagat e punonjësve të bashkive të jenë në të njëjtin nivel me ato të administratës qendrore.
Kështu, një urbanist në bashkinë e Kukësit jo vetëm do të paguhet njësoj si kolegët në bashkinë e Durrësit apo Vlorës, por do të ketë të njëjtën pagë që merr specialist i të njëjtit nivel në pushtetin qendror.
“Lajmi i mirë është që ka përfunduar analiza për mënyrën se si do të rriten pagat. Në javët në vijim ne do të diskutojmë më grupimet e bashkive për të folur për strukturat e reja dhe nivele te reja të pagave. Ne synojnë që nëpunësit civilë në bashki të kenë të njëjtën pagë me nëpunësit civilë në nivel qendror. Do të ketë një formulë specifike dhe për strukturat dhe për pagat. Kështu një specialist I nivelit 3b në bashkinë e Përmetit do të ketë të njëjtën pagë si një specialist I nivelit 3b në Prefekturë, në Qark apo në ministri.”
Nga rritja e pagave do të preken edhe kryetarët e 61 bashkive që sipas Maznikut do të ketë një formulë tjetër përllogaritje nga ajo që është aplikuar deri më tani. Detajet pritet të publikohen pasi ministria e financave dhe qeveria të aprovojnë faturën financiare që do të sjellë rritja e pagave për afro 37 mijë punonjës të administratës lokale.
Ndërkohë për herë të parë ministria e pushtetit vendor të kërkojë ndihmën e stafeve akademike në Universitete për mënyrën se si duhet të zhvillohen bashkitë e vendit.
Marrëveshjet e Ministrisë së Pushtetit vendor me Universitetet do të shfrytëzohen nga këta të fundit edhe për praktikat e studentëve të drejtësisë, të ekonomisë apo degëve të tjera pranë 61 bashkive të vendit./A2 CNN