Gjatë viteve të fundit, por sidomos në 2023-shin, qytetarët dhe bizneset në Kosovë janë përballur rëndom me monedha 2 euro të falsifikuara. Fenomeni ka arritur deri aty sa shumica e kanë shmangur këtë monedhë në pagesa. Vetëm në gjysmën e parë të vitit të shkuar në laboratorin e mjekësisë ligjore të Policisë së Prishtinës u ekzaminuar më shumë se 30,000 monedha të falsifikuara 2-euro, krahasuar me 4,451 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, së fundmi Banka Qendrore e Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka publikuar të gjitha masat që ka marrë për luftimin e këtij fenomeni dhe jo vetëm. Gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar dhe 4 muajve të parë të 2024-ës janë tërhequr nga qarkullimi rreth 2.5 milionë copë monedha prej 2 eurosh.
Gjithashtu, janë zbuluar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54,000 copë monedha 2 euro, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara. Nga ana tjetër është furnizuar ekonomia me afro 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha prerjeve, si dhe afro 5.82 milionë copë kartëmonedha euro plotësisht të reja dhe të përshtatshme për riqarkullim në shumën prej 261.6 milionë euro.
Janë importuar monedha krejtësisht të reja 5 milionë copë, ose 8 milionë euro, ndërsa numri i kartëmonedhave 500 euro të tërhequra nga qarkullimi ka arritur në mbi 266,000 copë, në vlerë mbi 133 milionë euro.
Më 4 maj 2016 Banka Qendrore Evropiane vendosi të ndërpresë prodhimin dhe hedhjen në qarkullim të kartëmonedhës të prerjes më të madhe prej 500 euro, dhe si rrjedhojë duke filluar prej 27 janarit 2019, 17 nga 19 bankat qendrore kombëtare të Eurozonës nuk kanë hedhur më në qarkullim këto kartëmonedha.
Vendimi u mor në atë periudhë pasi u vërtetua se kjo kartëmonedhë përdorej kryesisht nga kriminelët për të transferuar shuma të mëdha parash në pjesë të ndryshme të botës, për shkak të lehtësisë për t’u transportuar. Gjithsesi, ashtu si të gjitha kartëmonedhat e tjera, edhe ajo prej 500 euro ruan vlerën e saj dhe mund të këmbehet në një bankë qendrore kombëtare të zonës së euros në çdo kohë.