Rritet vlera e arit në tunelet e Bankës së Shqipërisë me 30.54 milionë euro përgjatë muajit të kaluar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera totale e arit arrijnë në 203.51 milionë euro në mars.
Rritja e rezervës ndërkombëtare e arit në një vend të caktuar mund të arrihet në mënyra të ndryshme si prodhimi vendas, ku nëpërmjet operacioneve minerare brenda kufijve të vendit, apo nga blerjet ndërkombëtare.
Kjo e fundit mund të arrihet nëpërmjet blerjeve direkte nga vende të tjera, banka qendrore ose shitës privatë. Zakonisht metodat që një vend përdor për të rritur rezervat e arit janë në bazë të politikave ekonomike, objektivat e stabilitetit financiar dhe konsideratat gjeopolitike.
Edhe në tregjet ndërkombëtare, metali I verdhë është duke thyer rekorde për sa I përket vlerës që po arrin, ku momentalisht po këmbehet me 2,300 dollarë për onz. Duke treguar që ngelet ndër instrumentet më të besueshëm për të investuar.
Ari luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi, ku më e rëndësishmja është mbrojtja kundër paqëndrueshmërisë financiare. Gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike ose krizës financiare, investitorët shpesh i drejtohen arit si një aktiv strehë të sigurt.
Vlera e arit zakonisht ka tendencë të rritet kur investimet e tjera, të tilla si aksionet ose monedhat, po performojnë dobët. Kjo pasi ari shihet si një aktiv i qëndrueshëm që ruan vlerën e tij edhe në kushte të trazuara ekonomike.